Policia ka bastisur zyrat e Al Jazeera në Jerusalem, ka njoftuar një zyrtar izraelit.

Bëhet e ditur se oficerë me rroba civile janë parë duke çmontuar pajisjet e kamerës së një dhome në hotelin Ambassador.


Siç raportohet, hoteli ndodhet në Jerusalemin lindor dhe është përdorur si zyrë de fakto nga vetë televizioni.

Bastisja vjen pasi kabineti i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, së fundmi ka votuar në mënyrë unanime mbylljen e zyrave të Al Jazeera.

Menjëherë pas vendimit, transmetuesit satelitor dhe kabllor e kanë larguar kanalin.

“Në përputhje me vendimin e qeverisë, transmetimet e kanalit Al Jazeera në Izrael janë ndalur”, ka njoftuar shërbimi satelitor Yes.

Veprime të ngjashme thuhet të ketë ndërmarrë edhe shërbimi kabllor Hot.

Ndryshe, bastisjeve u janë bashkuar edhe disa ushtarë izraelitë të cilët së fundmi janë kthyer nga luftimet në Rripin e Gazës. /Telegrafi/