"Policë evropianë që vijnë të veshur si paramilitarë, si hajdutë, si bandita", Behrami kritikon përcjellësit e Thaçit

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qëndruar të enjten në Kosovë, ku ka vizituar babanë e tij, i cili është i shtrirë në Klinikën Interne të QKUK-së.
Vizita e Thaçit, e para në Kosovë që nga koha kur gjendet në paraburgim, u përcjellë me vëmendje të madhe nga mediat dhe qytetarët, transmeton Telegrafi.
Një koment rreth vizitës së tij në Kosovë, e ka bërë edhe ish-këshilltari i Thaçit, Artan Behrami.
Ai ka kritikuar se Thaçi është përcjellur nga policët evropianë, që sipas tij, kanë qenë të veshur si "hajdutë".
"Paramendo, një vizitë humanitare, e mbikëqyrur nga policë evropianë që vijnë të veshur si paramilitarë, si hajdutë, si bandita, si huliganë. Turp për financuesit e kësaj gjykate", ka shkruar Behrami në Facebook.
Ndryshe, Thaçi kishte ardhur në Kosovë për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të babait të tij.
Gjykata Speciale ka bërë të ditur se vizita e Thaçit është nën mbikëqyrje dhe për arsye humanitare bindëse.
“Trupi Gjykues dhe Gjykatësja e Procedurës Paraprake kanë udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikqyrje në Kosovë të Hashim Thaçit për ta takuar babain e tij. Gjatë kësaj vizite nën mbikëqyrje, i akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Hashim Thaçi, i cili është në paraburgim nga vitit 2020, nën akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit, kishte qëndruar në Kosovë në maj dhe në shtator të vitit 2023, kur pikërisht për arsye shëndetësore të prindërve të tij, i ishin lejuar vizitat./Telegrafi/



































