LAJMI I FUNDIT:

A po bien muranat e Ballkanit?

A po bien muranat e Ballkanit?

Në Ballkan ai që është hero për një palë, është armik për një tjetër. Historia e dronit “Autochthonous” të Beogradit vazhdon dhe pas tri vitesh. Ismail Morina kërkohet të shkojë i ekstraduar drejt Beogradit, sipas vendimit të gjykatës së Dubrovnikut. Përnjëherësh të vjen në mendje një mik i shqiptarëve, ish-presidenti kroat Stipe Mesiç, që të ushtronte ndikimin e tij që shqiptari që guxoi e bëri një “shaka” nacionaliste në stadiumin e Beogradit, të mos dënohet. Është thjesht një qytetar i “republikës” së futbollit dhe jo ndonjë diplomat apo politikan, që pa dashje po shndërrohet në një hero. Me lirimin e tij do të binte një “muranë” mes shqiptarëve dhe serbëve. Do të ishte një gjest qytetarie nga ana e Beogradit, aq më tepër kur presidenti serb Vuçiq ka publikuar një refleksion politik ndryshe nga linja e përhershme, që mëton të jetë vija politike e shtetit të tij në kapërcimin e konfliktit me Kosovën dhe jo vetëm, çka sipas tij, do të bënte që “rrugët e bashkëpunimit politik dhe të përparimit ekonomik për Serbinë të hapeshin, ashtu dhe dyert e Bashkimit Evropian”.

Ku më mirë se në këtë rast detajet bëjnë diferencën, e Morina është një “detaj” i vogël në dukje, por domethënës për sjelljen serbe ndaj fqinjit shekullor “problematik” kuqezi. Çështja “Morina” assesi nuk duhej lejuar të merrte përmasa ndërballkanike, duke u marrë me të dhe presidenti serb, dhe presidentja kroate, dhe kryeministri shqiptar. Por, ky është Ballkani, në kërkim të së nesërmes, duke ecur ende me këpucët e së djeshmes. Ndaj zyrtarët e lartë amerikanë e evropianë herë pas here i këshillojnë udhëheqësit e Ballkanit të kenë kujdes nga “tensionet etnike” etj., edhe pse nuk duket në horizont ndonjë përpjekje serioze për ndryshimin e kufijve të rajonit. Ama janë ende ato gardhet e padukshme ballkanase, në vend të perdeve të hekurta, mureve ndarëse, muranave të gjakut.

“Muranat” kundrashqiptare kanë qenë jo vetëm prej gjaku po dhe prej letre, si platformat shqiptar-zhbërëse të Cubrilloviqit e Andriqit. Zgjatimet e këtyre të fundit vijnë deri te enciklopedia maqedonase disa vite me parë dhe ajo malazeze më vonë. Apo përpjekjet e qeverise turke për ta paraqitur historinë sunduese të perandorisë otomane si shpëtimtare dhe qytetëruese në vendet e Ballkanit.


Mjafton një vrojtim analitik i Ballkanit i kohëve të fundit për të kuptuar se muranat e shekujve janë aty, por gjithsesi jo si atëherë. Edhe pse ka kaluar aq shumë kohë në shoqërinë moderne, edhe pse Evropa është një ftesë e hapur për Ballkanin Perëndimor, prapë korentet dhe tensionet nuk janë shuar. Ato janë trifarësh: etnike, nacionaliste, fetare. E s’ke se si të mos thuash se brengat e Ballkanit të një shekulli më parë, të cilat i përshkruante me aq stoicizëm Edith Durham, nuk janë sërish brenga, përplasje ndëretnike, ndonëse më të moderuara.

Kërkohet pretekst, kur nuk ka shkak. Mjafton të kujtosh se ende zyrtarisht janë në gjendje lufte, dhe pas 77 vitesh, dy shtete nga më të vjetrat ballkanike, Greqia e Shqipëria, njëri madje anëtar i BE-së. Janë fshirë e bërë të reja të gjitha ligjet e shtetit helen, por nuk është bërë “pluhur” ligji famëkeq i gjendjes së luftës me Shqipërinë. A mund të imagjinohet kjo mes dy shteteve evropiane joballkanike? E, pra, edhe pse ligji është absurd, politika e BE – së nuk ka “vënë veton” në detyrimin e anëtares së saj, Greqisë, që ta abrogojë atë ligj idiot. Kjo do të thotë se muranat mes këtyre dy vendeve janë aty, dhe pse formalisht.

Po ashtu, prej vitesh janë në konflikt Greqia dhe Maqedonia për çështjen e emrit të kësaj të fundit. Nisur nga fakti që një pjesë territori në veri të Greqisë thirret Maqedoni, shteti grek nuk e njeh Maqedoninë tjetër si të tillë, por si republika ish-Jugosllave e Maqedonisë, çka do të thotë se e kaluara ballkanase vazhdon të peshojë në të sotmen. Me sa duket gjërat që lidhën me luftërat asnjëherë nuk harrohen. Se nuk është vetëm ligji grek i gjendjes së luftës, që nga koha e “kalendave greke”, por dhe ca ligje të pas 90-s, sipas të cilave ende janë në fuqi urdhër-arrestet serbe të periudhës së Millosheviqit, që qarkullojnë prej njëzet vitesh nëpër Evropë për liderë kosovarë, si rasti i Haradinajt, që u mbajt tre muaj i ndaluar në Francë, në fillimet e këtij viti, ndërkohë që Gjykata e Hagës e kishte deklaruar prej kohësh të pafajshëm për akuzën serbe të krimeve të luftës. Dhe pa u tharë ende boja mbi vendimin e lirimit të Haradinajt nga gjykata franceze, ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, iu ndalua hyrja në Serbi, si pjesëmarrëse në një veprimtari publike humanitare.

Siç i kemi ende të gjalla pamjet rrëqethëse nga Parlamenti maqedonas i përfshirë nga dhuna, ku kandidati për kryeministër gjakoset në fytyrë, nëntë qytetarë përfundojnë pas hekurave dhe si të mos ketë ndodhur asgjë, pas pak ditësh i njëjti President, Ivanov, i jep mandatin për formimin e qeverisë të njëjtit kandidat, Zaevit, të cilin e kishte refuzuar për disa muaj, duke deklaruar se tashmë nuk ishin ato pengesat e mëparshme që ai të mandatohej si Kryeministër e të formonte qeverinë e re. Se çfarë kishte ndryshuar brenda javës askush nuk mund ta thotë, por krahas problemeve të brendshme nuk është e vështirë të kuptohet ajo hija e dukshme edhe e padukshme e “muranave” ndëretnike.

Meraku maqedonas është ruajtja e (pu)shtetit për vete, kur shqiptarët po ngjisin përherë e më shumë nga një post të lartë në hierarkinë e vendit, kur njëri sosh u bë kryetar i Kuvendit e nesër dikush tjetër nga shqiptarët mund të bëhet dhe Kryeministër apo President. Pa iu rikthyer historisë së janarit 2017, kur nëpër një hekurudhë qorre, niset drejt kufirit të Kosovës treni nacionalist serb me mbishkrime serbomadhe, si të mos kishin mjaftuar muranat e përgjakura të Mitrovicës që nga 1999-a. Ndodh kjo kur ti mendoje se muranat e vjetra ishin tretur në kohë dhe si Kosova si Serbia po përpiqeshin të kapnin trenin e Evropës.

E nuk janë vetëm “ngatërresat ballkanike” tradicionale. Një muranë e re rreket të krijohet mes Ballkanit dhe vetvetes, Ballkanit dhe Perëndimit, rreziku i radikalizmit islamik. Sikur vetëm për këtë përpjekjet për t’u integruar në BE nuk duhet të rreshtin, duke u fokusuar së pari te bashkëpunimin rajonal. Ballkani Perëndimor e ka nisur komunikimin mes të vetëve, që do të çojë në shkëmbime tregtare, ekonomike e kulturore mes Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Mali të Zi, Serbisë, Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës, edhe pse rajoni ende luhatet mes demokracisë dhe sjelljes autokrate të liderëve të fortë, jo rrallë me gjuhë nacionaliste. Përqafimi sa më shpejt i evropeizmit si filozofi dhe praktikë qeverisëse bëhet i domosdoshëm, sidomos kur synohet të shtrihet ndikimi rus në shtetet ballkanike sllave, për t’i patur ato si dikur “satelite”, aq sa mund të këtë kuptim sot ky term.

Ballkanasit nuk kanë bërë vetëm luftëra mes tyre, përkundrazi kanë jetuar në fqinjësi për shekuj e shekuj, me martesa të ndërsjella mes shqiptarëve e sllavëve, por lëvizjet kombëtare të një shekulli e gjysmë më parë, duke i mëshuar vetëdijes së nacionalitetit, e tejkaluan veten duke shkarë në nacionalizëm, çka solli dhe konfrontime etnike etj. Kjo dëmtoi rëndë raportet historike, ku serbët kanë qenë gjithnjë “violina e parë” e nacionalizmit, gjer atij “mitik” mesjetar të kombit superior. Kjo është njëra anë e medaljes, ajo e ftohta, mospranuesja e tjetrit, me deklarata e kundërdeklarata politike, etnike, fetare etj.

Para se të formoheshin kombet shqiptarët e sllavët kanë patur epose të ngjashme, ashtu si në betejën e Fushë Kosovës të vitit 1389 shqiptarë e serbë ishin bashkë kundra pushtuesit osman. Përtej perdes hijerëndë të shteteve, protokolleve, salloneve të ftohta diplomatike, populli bën një jetë tjetër me “armikun”, pa andrallat e politikës apo dhe ato etnike. Jo pak personalitete politike, kulturore të Kosovës gratë i kishin serbe. Një realitet tjetër është krijuar tri dekadat e fundit mes ballkanasve, emigrimi masiv i shqiptarëve, më së shumti në Greqi, marrëdhëniet tregtare të ndërsjella e tani dhe ato turistike, njëfarë spektri shkëmbimesh kulturore (koncerte, botime, ekspozita), ndonëse jo aq sa do të duhej, shkëndijime politike moderne dhe dalëngadalë dhe profile të reja politikanësh, që gjithsesi nuk i lëshojnë nga mënga nacionalistët e vjetër të tipit Nikoliq, Gruevski etj.

Shqiptarët dhe serbët nuk e shohin njëri-tjetrit si armiq, përkundrazi vazhdojnë mbase më shumë se më parë krushqitë mes tyre. Dihet tashmë se jo pak vajza nga malësitë e Shkodrës martohen me serbë. A nuk duhen përfillur dhe këto zhvillime etno-social-kulturore mes njerëzve të etnive të ndryshme. Ligji i gjendjes së luftës me Greqinë vjen e bëhet zero në realitetin e ri të marrëdhënieve shqiptare-greke, pasi mbi 600 mijë shqiptarë kanë emigruar atje.

Lidershipet e Ballkanit janë ndërruar dhe në qeverisje kanë ardhur udhëheqës të rinj. Në një hark të shkurtër kohor, në më pak se një vit, janë bërë zgjedhje në disa shtete të Ballkanit Perëndimor, që kanë prodhuar qeveri të reja, në Mal të Zi, Maqedoni, Serbi, Kosovë, Shqipëri. Serbia madje për herë të parë ka kryeministre, Ana Brnabiq. BE duket se e ka hapur derën, më shumë për vete sesa për këto shtete, si një “koalicion” të shumtish përballë ofensivës politike ruse në Ballkan. Veçse Evropa ka vepruar jashtëzakonisht me vonesë, pasi kosovarët që dilnin në Perëndim që në kohën e autonomisë jugosllave kanë ende regjimin e vizave?!

Mësuesja e Brukselit nuk është atje vetëm për të vënë nota qeverive, por dhe për të siguruar mbështetje të fortë ekonomike, pasi sfidat globale dhe veçanërisht lufta kundër terrorizmit nuk mund të bëhet pa rendin, sigurinë dhe stabilitetin e shteteve të tjera që ende nuk janë në BE. Po ashtu është përgjegjësi dhe e BE-së që në vendet e Ballkanit janë lejuar të shëtisin nëpër poste të larta shtetërore në vendet e tyre udhëheqës të korruptuar, përfshi dhe në Shqipëri. Dihet se shtëpinë tënde nuk ta rregullon askush përpos se vetë, po kur flitet në kuadrin e familjes evropiane, një bashkësi e tillë nuk duhet të mbyllë sytë para atyre vendeve që në krye sjellin udhëheqës që nuk veprojnë sipas parimeve të demokracisë.

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Magazina
Kalo në kategori