Operacioni policor i zhvilluar sot në Pejë ka përfunduar me arrestimin e të pandehurit R.H., sipas planifikimit dhe në bazë të urdhrit të kontrollit, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale krim i organizuar në lidhje me veprën penale “Rrëmbimi”, si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aksioni është realizuar nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe vjen si rezultat i një procesi hetimor të udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), lidhur me dyshimet për rrëmbimin e një personi, rast i ndodhur në vitin 2021.


Bëhet e ditur se në këtë çështje penale, një tjetër i dyshuar ndodhet tashmë në paraburgim.

Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit janë siguruar prova relevante, të cilat do të shërbejnë në vazhdim të procedurës hetimore.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit R.H.