Kandidatët për kryetar të Prishtinës po përballen në emisionin “Debat Plus”, në një nga debatet më të rëndësishme para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Debati televiziv shënon takimin e fundit ballë për ballë midis kryetarit aktual dhe kundërshtarit të tij që synon ta udhëheqë kryeqytetin për katër vitet e ardhshme.


- YouTube youtu.be

Finalja zgjedhore, që do të përcaktojë drejtimin e Prishtinës për mandatin e ardhshëm.

Gara është mjaft e ngushtë – në rundin e parë, Përparim Rama mori 33.71% ose 35,595 vota, ndërsa Hajrulla Çeku u rendit i dyti me 33.21% ose 35,077 vota.


06/11/2025 21:59- Çeku – Ramës: 4 vjet s’e mbajte pastër Prishtinën

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, e ka akuzuar kandidatin nga LDK, Përparim Ramën për dështim në menaxhimin e ndërmarrjeve komunale, duke theksuar se qyteti nuk është mirëmbajtur dhe se pastrimi është në gjendje të mjerueshme.

“Kush të bllokoi me mbledh bërllogun? 4 vite mos me mujt me mbledh bërllokun me mbajt pastër qytetin. Reformim i thellë i të gjitha ndërmarrjeve komunale – pa ndërmarrje funksionale, nuk ka qytet të mirëmbajtur”, ka deklaruar Çeku.

Ai ka shtuar se procesi duhet të nisë me depolitizimin dhe auditimin e performancës së punëtorëve.

“Ky reformim i ndërmarrjeve është i domosdoshëm sepse ndryshe njëjtë ke me përfundu edhe me Pastrimin edhe ndërmarrjet e tjera. Askush nuk duet të mbetet pa punë, por askush nuk duhet të marrë rrogë pa punu. Edhe kur e kemi qeverisjen kooperative të mirë të ndërmarrjeve me i rregullu kushtet e punës edhe rrogat me ua rrit atyre, sepse janë punëtorë që kryejnë punë”, ka deklaruar Çeku.

06/11/2025 21:57- Rama i thotë Çekut se po bën “demagogji populiste” për Unazën e Kryeqytetit: Qeveria s’e shtyu projektin

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë Kurti për bllokim të qëllimshëm të projektit të Unazës së Kryeqytetit.

Gjatë debatit me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku, në Debat Plus, Rama reagoi ndaj deklaratave të Çekut, i cili e kishte cilësuar ndërtimin e Unazës si një projekt urgjent.

“Shiheni farë demagogjie populiste. Vjen ktu edhe thotë që është me urgjencë unza e kryeqytetit. Ndërsa ne para katër viteve e kemi përfunduar projektin edhe i kemi siguruar fondet nga EBRD, 206 milionë. 82.4 milionë kanë qenë fal, dmth pa parë si grant. Këta e kanë bllokuar. Kanë thënë se nuk i shtyjmë projektet elektorale të Përparim Ramës. Se unë po i merresha me veti këto projekte.

E tash pas 4 vjetëve thotë duhet ta bëjmë me urgjencë. Pra këta janë ata, vetëm me demagogji, me të pavërteta… 8 vjet me përpara e kanë pas menaxhmentin e kryeqytetit, s’kanë bërë kurgjo, zero”, ka thënë Rama.

06/11/2025 21:27- Çeku – Ramës: Me 77 milionë euro të shpenzuara për 9 muaj, ku e paskemi bllokuar buxhetin

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, lidhur me akuzat e Përparim Ramës se Qeveria ka bllokuar buxhetin e kryeqytetit, ka theksuar se shifrat zyrtare tregojnë të kundërtën dhe se gjatë këtij viti Prishtina ka kryer shpenzime të mëdha.

“Flasim me fakte, kjo përrallë që s’kemi buxhet, i kemi ndalë subvencionet e nuk po mund t’i japim pagat, nuk qëndron. Prishtina deri në fund të shtatorit të këtij viti ka shpenzuar 77 milionë euro. Buxheti sivjet i komunës është 120–130 milionë euro, këto janë shpenzime të deklaruara nga vetë komuna. Për 9 muaj 77 milionë euro – si është e mundur që e paskemi bllokuar kur ka ndodhur gjithë ky shpenzim?”, tha Çeku.

Ai ka shtuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë pengesë nga Qeveria, por për mungesë funksionaliteti në Kuvendin Komunal.

“Nuk jemi këtu për beteja personale, por për publikun për qytetarin e të ardhmen e kryeqytetit, më e pakta është me qenë korrekt me të dhëna dhe me referenca ligjore. Ku e paskemi bllokuar kur qeveria respektivisht Ministria e Financave e ka kryer detyrimin e vetë që është 1/12 që ndahet çdo muaj sepse kështu e parasheh ligji. Prej kohës kur e keni dërguar ne qeveri dhe qeveria ne kuvend nuk kemi pasur kuvend funksional”, ka deklaruar ai.

06/11/2025 21:26- Rama kritikon Vetëvendosjen: Nëse nuk je me ta, je armik i tyre

Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka kritikuar Qeverinë Kurti për bllokimin e ndarjes së buxhetit për kryeqytetin, duke e cilësuar atë si një qeveri me qasje autoritariane.

Në Debat Plus, Rama tha se qytetarët dhe institucionet e kryeqytetit po hasin vështirësi për shkak të veprimeve të qeverisë, e cila sipas tij ka bllokuar buxhetin për Prishtinën.

“Janë njëfarë qeverie autoritariane. Që nëse nuk je me ta, je armik i tyre”, ka thënë Rama.

06/11/2025 21:17- Rama: 3.5% e çdo ndërtimi do t’i kthehet qytetarëve për çerdhe, shkolla e banesa sociale

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar projektet kryesore kapitale që synon t’i realizojë nëse fiton mandatin e dytë.

Në Debat Plus, Rama ka përmendur transformimin e transportit publik dhe unifikimin e biletave për qytetarët, përmirësimin e Unazës së Brendshme dhe lidhjen e dhjetë lagjeve kryesore përmes shesheve të rinovuara, përfshirë vazhdimin e Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Xhorxh Bush deri tek Rrethi i Flamurit.

“Investime të mëdha kapitale, që e ndërlidh së pari Unazn e kryeqytetit si nëj projekt kapital i madh, unazën e brendshme, transportin publik të cilin tashmë e kemi transformuar, ku sot kemi një bileta të unifkume… Po ashtu edhe secilin fshat me transport urban. Projektet e ndryshime të cilat i lirojnë zonat publike, fokusohemi në zonat publike, ku e kemi vazhdimin e sheshit Nën Tereza me sheshin Xhorxh Bush deri tek rrethi i flamurit që e ndërlidh dhjetë lagjet kryesore të kryeqytet, edhe krijon një siguri shtesë për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar ai.

Ai gjithashtu ka theksuar renovimin e Pallatit të Rinisë dhe përdorimin e 3.5% të secilit ndërtim në të gjitha zonat për shërbime publike, si çerdhe, shkolla, qendra mjekësore dhe banesa sociale.

“Po ashtu edhe renovimi i pallatit të Rinisë, edhe gjithmonë 3.5 përqindëshi ne të gjitha zonat secilit ndërtim t’i kthehet qytetarëve për nevojat e tyre për çerdhe për shkolla, për qendra mjekësore familjare për hapësira banesa sociale”, ka deklaruar ai.

06/11/2025 21:11- Çeku: Prishtina ka nevojë për një qasje serioze dhe funksionale

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, ka theksuar rëndësinë e një qasjeje serioze në menaxhimin e kryeqytetit, duke u fokusuar në nevojat bazike të qytetarëve dhe përditshmërinë e tyre.

Gjatë fjalës së tij në Debat Plus, Çeku tha se ndër prioritetet tij kryesore duhet të jetë funksionaliteti i qytetit.

“Besoj që Prishtina ka nevojë për një qasje serioze,e cila i trajton fillimisht elementet e domosdoshme, ato bazike, të përditshmërisë sonë. Që duhet ta bëjnë qytetin funksional. Përditshmëria e jonë lidhet me mobilitetin, trafikun, mirëmbajtjen qytetit, me nevojën që ndërmarrjet komunale të jenë sa më efikase për mirëmbajtje…”, ka thënë Çeku.

06/11/2025 21:03- Çeku: Projektet e Ramës duken mirë në letër, por mungon zbatimi

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, në Debat Plus ka vlerësuar programin e kundërkandidatit të tij nga LDK, Perparim Rama.

“Vështirë të gjej ndonjë pikë që më pëlqen, e megjithatë është munduar maksimalisht që të tregojë një angazhim në kërkim të mandatit të dytë, ndonëse kishte shumë pak dëshmi të punës së kryer. Një pjesë e punës që është bërë deri tash dhe që vazhdon të jetë pjesë e programit janë vizatimet, renderat, projektet me letër, ato janë të mira, por një kryetar komune duhet që projektet nga letra t’i vë në zbatim dhe t’i realizojë”, ka thënë Çeku nga “dhoma e kryetarit”.

Ai ka shtuar se gjatë debatit kishte përshtypjen se jetonte në një realitet të ndryshëm me zotin Rama, duke theksuar se për qindra e mijëra projekte që Rama pretendonte se i kishte realizuar, mungojnë të dhëna konkrete për zbatimin e tyre.

“Mbase ajo që do t’i kisha thënë është se po na mungojnë disa syze virtuale për t’i parë ato projekte,” ka shtuar Çeku.

06/11/2025 21:01- Rama: Programi i Çekut është kopje e programit tim

Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka komentuar së fundmi për kundërkandidatin e tij në garën për kryetar të kryeqytetit, Hajrullah Çeku.

Në Debat Plus, Rama tha se disa prej pikave të përfshira në programin e Çekut janë të ngjashme me ato që ai vetë ka prezantuar vite më parë.

“Aty duket që është kopje e programit tim. Prandaj, si të tilla janë të gjitha të inkuadrua në programin tim. Andaj s’kam asnjë problem me ato pika. Se mundemi ne pa edhe programin tim që e kam pas edhe para 4 vjetëve. Edhe tash vazhdimësia e tyre në kryeqytet”, ka thënë Rama.

06/11/2025 20:56- Para debatit

06/11/2025 20:56- Para debatit

06/11/2025 20:35- Çeku për projektin e sheshit “Xhorxh Bush”: Të vetmin ballafaqim Rama e ka me ligjin

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se projekti për sheshin “Xhorxh Bush” është i kundërligjshëm dhe ka theksuar se përplasja e vetme e kryetarit aktual të Prishtinës, Përparim Rama nga LDK, është me ligjin.

“Fillimisht asnjë përplasje me mua, përplasjen e vetme zoti Rama e ka me ligjin. Edhe këto punime që po zhvillohen këtu janë të kundërligjshme sepse projekti i sheshit Xhorxh Bush nuk ka as lejen e Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës, e lëre më pëlqimin e Institutit të Monumenteve, i cili para më shumë se 6 muajve i ka dhënë rekomandimet komunës për t’i adresuar në projekt. Kontrata është e kundërligjshme sepse paramasa nuk përputhet me vlerën e kontratës, për rreth 1.2 milionë euro, dhe kjo përbën shkelje sipas ligjit të prokurimit dhe një mori shkeljesh të tjera”, ka deklaruar Çeku drejtpërdrejt para debatit final për Prishtinën në Debat Plus.

Ai ka shtuar se rruga që po quhet shesh duhet të hapet urgjentisht dhe se kjo do të ndodhë menjëherë pas marrjes së detyrës së kryetarit nga ai.

“Të vetmin ballafaqim zoti Rama e ka me ligjin sepse nuk e respekton ligjin. Kjo rrugë që po quhet shesh duhet të hapur urgjentisht dhe kështu do të ndodhë me urgjencë kur ta marrë detyrën e kryetarit”, ka deklaruar ai.

06/11/2025 20:33 - Rama nga “Xhorxh Bushi” kritikon Qeverinë Kurti: Mendësi e ngushtë që saboton projektet për Prishtinën

Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka bërë deklarata të forta pak para balotazhit lokal, duke kritikuar qeverinë (në detyrë) aktuale qendrore.

Rama theksoi se projekti për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”, janë penguar nga “sabotazhet” e qeverisë Kurti.

“Kjo do të kryhej (sheshi “Xhorxh Bush”) po të mos i kishim këto sabotazhe prej qeverisë. Me 9 nëntor qytetarët do të ia tregojnë vendin asaj, edhe në dhjetor me siguri në nivelin qendror do të kemi një qeverisje që e dëshiron të mirën e kryeqytetit. Që e sheh kryeqytetin si metropol, e jo si qytet të vogël. E kanë mendësinë e ngushtë”, ka thënë Rama.

06/11/2025 20:25- Rama: Bllokadat e Kurtit janë jashtëligjore, më 9 nëntor qytetarët ia tregojnë vendin

06/11/2025 20:23- A e keni bllokuar ‘Xhorxh Bushin’?” – Çeku “i çon selam” Ramës pak para përballjes me Ramën

06/11/2025 20:16- Kandidatët për Prishtinën nisen drejt studios