Një seri tornadosh shkatërruese që goditën Kentuckyn (SHBA) vranë një numër të madh njerëzish dhe qindra humbën shtëpitë e tyre.
Dhe në mesin e tyre janë edhe Jasmin Grahoviq dhe familja e tij, të cilët janë të detyruar të rindërtojnë jetën e tyre nga e para, përcjell Telegrafi.
Pluhuri i ngritur nga tornado po zbret ngadalë dhe amerikanët tashmë janë të angazhuar për të riparuar dëmet e shkaktuara nga stuhia shkatërruese.
Sipas mediave të huaja, përveç dëmeve të mëdha materiale, stuhia mori dhjetëra jetë, duke përfshirë pesë personave nga Bosnja dhe Hercegovina.
Një gazetare e Kentuckyt vizitoi pjesët e shkatërruara dhe foli me ata që ishin më të prekurit.
Te rrënojat, ajo gjeti Jasmin Grahoviq, një boshnjak që ka jetuar në Shtetet e Bashkuara për më shumë se dy dekada.
Edhe pse në depresion, Grahoviq pranoi të fliste me gazetaren dhe tregoi se çfarë ndodhi kur tornado iu afrua shtëpisë së tij.
“Dëgjova një shpërthim, dhe më pas diçka më goditi në kokë dhe më rrëzoi në dysheme. Kur hapa përsëri sytë dhe shikova sipër meje – pashë që nuk kishte çati mbi mua. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Shumë shpejt. Në tridhjetë sekonda humba gjithçka”, ka rrëfyer ai i pikëlluar.
Duke iu referuar mbetjeve të shtëpisë në të cilën jetoi për 21 vjet, Grahoviq tha se kishte investuar dhjetëra mijëra dollarë në shtëpinë e familjes.
Ai investoi më shumë se 15,000 dollarë vetëm në çati dy vjet më parë, tha ai, dhe gjithçka u zhduk në më pak se një minutë.
Megjithatë, ai shprehet i lumtur që asnjë nga familjarët nuk është lënduar.
“Vajza dhe gruaja kanë ikur në bodrum, janë mirë. Të gjithë jemi mirë”, ka thënë, duke shtuar se tashmë kishte kontaktuar me sigurimin: “Kemi filluar procedurën, na thanë duhet të presim 6-7 ditë kështu që ata do të na kontaktojnë. Unë dhe familja po rrimë me një mik, por kemi vetëm një dhomë, e cila është shumë e vogël. Të gjitha hotelet dhe apartamentet janë të zëna, nuk kemi mundësi të tjera”.
Ai theksoi se e kupton që një numër i madh i familjeve në këtë rreth po përballen me të njëjtat probleme dhe e kupton atë që po kalojnë.
Megjithatë, ai theksoi se mbetet optimist sepse ka përvojë në situata të tilla.
“Kam qenë në luftë për katër ose pesë vjet në vendin tim, në Bosnje dhe Hercegovinë. Unë e di se si të përballem me këtë. Kjo nuk është hera e parë që kam humbur gjithçka, kjo është hera ime e tretë. Një numër i madh njerëzish humbën jetët e tyre gjatë luftës dhe shtëpitë në BeH, na u desh të qëndronim në kampet e refugjatëve”, ka thënë ndër tjerash ai. /Telegrafi/