Site icon Telegrafi

Pejës i shtohet edhe një muze me eksponate të vjetra – kontribuojnë edhe banorët e zonës përreth

Kulturës së Pejës i është shtuar edhe një muze me objekte të vjetra në Qendrën Multifunksionale në fshatin Novosellë.

Më anë të saj qytetarët e gjithë rajonit mund të njoftohen me afër rreth kulturës dhe traditive të fshatrave përreth duke ekspozuar një numër të madh gjesendesh të vjetra dhe eksponatesh.

Sipas drejtoreshës së Qendrës Multifunksionale në Novosellë, Blerta Selmonmusaj me ndihmën e banorëve të zonës përreth kanë arritur që këtë ide ta bëjnë realitet.

Selmonmusaj ka potencuar se qëllimi i krijimit të këtij muzeu ka qenë edhe për të rikujtuar të kaluarën, por ajo ka shtuar se lufta ka lënë shenja duke e pasur të vështirë edhe gjetjen e këtyre objektve të vjetra.

“Kemi biseduar me familjet këtu afër qendrës edhe na janë përgjigjur pozitivisht, menjëherë kanë filluar të sjellin gjësende të vjetra, prej fshatit Novosellë, Radac, Jabllanicë e madhe dhe asaj të voglës. Kanë filluar më sjellë gjësende të vjetra edhe pse ka qenë pak e vështirë sepse e dimë të gjithë si ka qenë historia, shtëpija të kallura, është djegë historia jonë, ato pak shtëpia që kanë shpëtuar ato i kanë dhuruar gjësendet e fundit të vjetra që i kanë pasur i kanë dhuruar për muzeun e qendrës”, ka thënë Selmonmusaj transmeton Telegrafi.

Për Selomonmusaj, vizitat kanë filluar të rriten që në momentin e hapjes nga qytetarë të ndryshëm dhe sipas saj qëllimi i këtij muzeu është që edhe nxënësit e shkollave të ndryshme të vijnë dhe të mësojnë më shumë për kulturën shqiptare të këtyre zonave.

“Është pritë shumë mirë, menjëherë kanë filluar ta vizitojnë, kanë kërkuar edhe shumë shkolla ta vizitojnë dhe temë kryesore do të jetë trashëgimia kulturore, gjësendet e vjetra që i kemi mbledhur, eksponatet dhe do të ju tregohet nxënësve për çka janë përdorë këto elemente të cilat kanë qenë jetike në të kaluarën si qylymi, minderi,llampa e shumë gjëra të tjera”, është shprehur Selmonmusaj.

Vlen të theksohet se Qendra Multifunksionale në Novosellë ka hapur edhe qendrimin ditor për moshat e treta, e cila është mundësuar nga Syri i Vizionit në bashkëpunim me Komunën e Pejës./Telegrafi/.

Exit mobile version