Site icon Telegrafi

PDK kërkon hetime të prokurorisë për aferat në Telekom, fajëson Vetëvendosjen

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha, në një konferencë për media ka thënë se janë duke i parë me shqetësim zhvillimet e fundit lidhur me Telekomin e Kosovës.

Hoxha ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për gjendjen në të cilën gjendet Telekomi, transmeton Telegrafi.

“Ditë më parë, përmbaruesi privat i paguar nga z-mobile e që doli të jetë vëllai i Deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Kollçakut, ka bllokuar llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës, duke e sjellë atë buzë falimentimit, ndërsa vetë pret t’i fitojë qindra mijëra euro nga ky proces. Një veprim i tillë rrezikon mirëqenien ekonomike të rreth 3500 familjeve kosovare, ndërsa kërcënon edhe sigurinë nacionale përmes ndërprerjes së komunikimit të institucioneve të sigurisë kombëtare në Kosovë”, deklaroi ai.

Hoxha shtoi më tej se ” PDK, si parti opozitare, kërkon hetim të hollësishëm nga Prokuroria për këtë proces dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë atyre që kanë shkaktuar këtë gjendje në Telekomin e Kosovës”.

“Lëvizja Vetëvendosje, gjatë kohës sa ishte në opozitë, në vitin 2018, kishte iniciuar dhe aprovuar një Rezolutë në Kuvendin e Kosovës për Telekomin e Kosovës, por kur erdhi në pushtet asnjë nga pikat e kësaj Rezolute që e kishte propozuar vetë – nuk e zbatoi. Qeveria Kurti e kishte mundësinë për ta ndihmuar këtë ndërmarrje sa ishte në pushtet, por nuk e bëri një gjë të tillë. Sepse, qëllimi i Qeverisë Kurti nuk ishte krijimi i stabilitetit në këtë ndërmarrje, e as shpëtimi i saj, por ishte politizimi dhe kapja e kësaj ndërmarrjeje, duke filluar nga bordi, menaxhmenti e deri te përzgjedhja e përmbaruesit privat”, pohoi ai.

Deputeti tha se bordi i përkohshëm i Telekomit me qëllim po e falimenton këtë ndërmarrje.

“Ish-Ministrja Rozeta Hajdari dhe Qeveria Kurti, me mosveprimet e tyre, duke mos ndërmarrë hapa ligjorë dhe duke mos bërë asnjë veprim që do ta parandalonte një dëmtim kaq të madh financiar të Telekomit të Kosovës, mundësuan që pastaj edhe përmes përmbaruesit, vëllait të Deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Kollçakut, ta realizojnë këtë transaksion prej rreth 30 milionë eurosh – duke e gjunjëzuar kështu Telekomin, e duke përfituar familjaret e saj.

Është shumë me rëndësi për opinionin publik që ta kuptojë faktin se trekëndëshi i përbërë nga Bordi i Qeverisë Kurti, menaxhmenti politik i kësaj ndërmarrjeje, si dhe Operatori Z-mobile, jo rastësisht në mesin e qindra përmbaruesve zgjodhën në këtë lëndë vëllain e Deputetes së Vetëvendosjes, i cili do të përfitojë qindra mijëra euro nga buxheti i kësaj ndërmarrje.

Është e qartë se Bordi politik i Telekomit të Kosovës, i emëruar paligjshëm nga Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, qëllimisht po e falimenton këtë ndërmarrje publike”, tha ai./Telegrafi/

 

Exit mobile version