Pas dështimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës ka dalë me një deklaratë për media, ku shprehin gatishmërinë që të marrin përgjegjësinë për formimin e qeverisë me Bedri Hamzën kryeministër.

PDK, përmes një komunikate thotë se, “sot, duke votuar pro raportit të Komisionit Verifikues të kuorumit dhe mandateve, PDK kontribuoi në tejkalimin e një ngërçi të panevojshëm parlamentar, pas vendimit të këtij komisioni për të pranuar kërkesën tonë për të përfshirë, njohur dhe evidentuar në procesverbal faktin e dorëheqjeve individuale të Kryeministrit dhe ministrave, në përputhje me frymën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e ish-kryetarit të Rahovecit, Qazim Çeska”.


“Në këtë mënyrë, Partia Demokratike e Kosovës dëshmoi edhe një herë rolin e saj shtetformues dhe përkushtimin ndaj funksionimit demokratik të institucioneve”, thuhet në deklaratë, transmeton Telegrafi.

Tutje, PDK thptë se “me këtë veprim, u zhbllokua procesi për betimin e deputetëve të legjislaturës së nëntë, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe rivendosjes së normalitetit institucional. Partia Demokratike e Kosovës i uron të gjithë deputetët që kanë marrë mandatin e tyre zyrtarisht dhe i fton ata që t’i qëndrojnë besnik detyrimeve të tyre kushtetuese dhe interesit qytetar”.

“PDK njeh të drejtën kushtetuese të partisë së parë për të propozuar kandidatin/en për Kryetar të Kuvendit, mirëpo kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe përkrahjen tonë për atë kandidaturë. Ora për themelimin e institucioneve të reja të Republikës ka nisur. Përgjegjësia e parë, por jo e përhershme, bie mbi koalicionin VV-Guxo-Alternativa, i cili duhet ta trajtojë këtë moment me seriozitetin që kërkon situata politike dhe nevoja e vendit për stabilitet”.

Partia Demokratike e Kosovës thotë se do të vazhdojë të jetë një faktor stabiliteti, garantuese e rendit kushtetues dhe zë i fuqishëm i interesit qytetar.

“E përkushtuar ndaj demokracisë, shtetndërtimit dhe zhvillimit, PDK mbetet e gatshme të marrë përgjegjësinë për formimin e një qeverie të re profesionale, me Kryeministër Bedri Hamzën, dhe me objektiva të qarta për të kthyer shtetin në binarët e duhur të zhvillimit dhe integrimit – në rast se mandatari i parë dështon në sigurimin e shumicës parlamentare, siç u dëshmua qartazi edhe sot”, thuhet në komunikatë.

Në vazhdimin e tretë të seancës konstituive, deputetët sot dështuan që të zgjidhinin kreun e organit ligjvënës. Propozimi që Albulena Haxhiu të jetë kryetarja e re e Kuvendit të Kosovës, dështoi dy herë që të marrë 61 votat e nevojshme.

Pas kësaj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu seancën deri të hënën, në orën 15:00.

Megjithatë, paraprakisht deputetët miratuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve. Ata po ashtu bën betimin si deputetë të legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

/Telegrafi/