Shqiptarët e komunave Medvegjë, Bujanoc e Preshevë e Bujanoc janë duke vazhduar të përballen me problemin e pasivizimit të adresave nga ana e autoriteteve shtetërore në Serbi.
Aktivisti politik dhe i të drejtave të shqiptarëve, Muharrem Salihu në emisionin “Përballje” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com ka thënë se pasivizimi i adresave po ndodhë që nga vitet e 8o-ta. Ai ka treguar në detaje në këtë intervistë se si ka nisur ideja për pasivizimin e shqiptarëve në komunën e Medvegjës.
Salihu në këtë intervistë thënë se fillimisht në këtë komunë janë ndryshuar emrat e heronjve, shkollave, e kështu më radhë.
“Ju jeni dëshmitarë që Medvegja historikisht ka shërbyer si një vend për të bërë eksperimente thuajse për të gjitha planet që kanë qenë të destinuara për hapësirat tona, sidomos në ish Jugosllavi. Shkojmë të vitet e 80-ta kur në Medvegjë kanë filluar të ndryshojnë emrat e heronjve të popullit, shkollave, e me radhë dhe duke qenë rezistenca më e vogël pastaj kanë aplikuar në Preshevë, Bujanoc dhe pastaj kanë kaluar në Kosovë që i kanë ndërruar me emra të rrugëve me emra të shkollës e me radhë. Edhe sot e njëjta gjë por në mënyrë më të përsosur po vazhdon”, ka pohuar ai transmeton Telegrafi.
Salihu mes tjerash thotë se në Medvegjë po testohet ndjenja kombëtare.
“Medvegja është bërë vend ku po testohet ndjenja kombëtare, ndjenja shqiptare, dhe pasivizohen adresat pa mëshirshëm me dekada me radhë që nga viti 1980. Ne po vuajmë pasojat e kësaj që ka ndodhur, janë njerëz të gjallë, janë më mijëra shqiptarë që mungojnë në listat zgjedhore që nga viti 2015 deri më 2019”, potencoi ai në intervistën në emisionin “Përballje”.
Aktivisti Salihu ka thënë se që dy dekada në Medvegjë nuk po regjistrohen as të porsalindurit.
“Jemi duke folur për një numër të madh të popullsisë që është duke u tretur, dhe nuk kanë asnjë mundësi ta dëshmojnë. Kjo është bërë nga doktorët e shkencave e eprorët ushtarak, që bashkërisht e kanë sajuar këtë plan, fillimisht duke i nxitur shqiptarët në Serbi që të pranojnë njerëz nga Kosova për të strehuar atje, në mënyrë që të u jepet adresa e përkohshme dhe të marrin shtetësinë e Serbisë në mënyre që të aplikojnë për azil në vende të ndryshme. Shqiptarët kanë rënë në këto gracka”, ka pohuar Salihu.
Gjithashtu Salihu ka kërkuar përfshirje më te madhe të Kosovës e Shqipërisë në këtë temë si dhe në adresimin e tyre në instancat më të larta evropiane e ndërkombëtare. Ai ka thënë se shqiptarët në Luginë të Preshevës kanë nevojë për punësim, zhvillim ekonomik dhe vëmendje më të madhe të shqiptarëve në rajon.
Në këtë intervistë Salihu që është edhe Drejtuesi i Forumit Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi, thotë se pritet të ketë iniciative konkrete ekonomike në të ardhmen nga të gjitha Odat Ekonomike si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe në Serbi. /Telegrafi/