Pas 15 vitesh përplasje me Taylor Swift, Kanye West ka bërë një lëvizje të papritur duke e ndjekur atë në Instagram – duke e bërë këngëtaren e vetmen llogari që ai ndjek.
Reperi 47-vjeçar është i njohur për ndryshimet e tij të shpeshta në rrjetet sociale, duke fshirë postimet ose duke postuar vetëm për gruan e tij, Bianca Censori.
Por ky veprim i fundit ka ngjallur konfuzion te fansat, sidomos pas referencës ndaj Taylor dhe të dashurit të saj, Travis Kelce, në këngën e tij të re “Lifestyle (Demo)”, shkruan DailyMail.
Lëvizja e Kanye vjen pas një historie të gjatë konflikti mes dy artistëve, e cila nisi në ‘MTV Video Music Awards’ 2009, kur ai e ndërpreu fjalimin e saj duke thënë se Beyonce kishte videon më të mirë të të gjitha kohërave. Tensionet u rritën më shumë në vitin 2016, kur Kanye e përmendi Taylor-in në këngën “Famous”, duke pretenduar se ajo i kishte dhënë miratimin.
Taylor e mohoi këtë dhe konflikti u ndez më tej kur Kim Kardashian publikoi një telefonatë mes tyre, duke e quajtur më pas Taylor-in një “gjarpër”.
Swift e adresoi këtë përvojë të vështirë në muzikën e saj, duke përfshirë këngët “Look What You Made Me Do” dhe “This Is Why We Can’t Have Nice Things”.
Pavarësisht historisë së tyre të gjatë të përplasjeve, Taylor nuk e ka ndjekur Kanye-n në Instagram, dhe as ajo dhe Travis nuk kanë komentuar mbi referencën në këngën e tij të fundit. /Telegrafi/