Panamaja me komision për të shqyrtuar praktikat financiare

Presidenti i Panamasë ka thënë se do të formojë një komision të pavarur për të shqyrtuar praktikat financiare të vendit pas rrjedhjes së informacionit nga një firmë ligjore e vendit që e ka turpëruar një numër të madh të udhëheqësve botërorë.
"Qeveria panameze, me anë të ministrisë sonë të jashtme, do të krijojë një komision të pavarur të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë ... për të vlerësuar praktikat tona aktuale dhe të propozoj miratimin e masave, që do t’i ndajmë me vendet e tjera të botës, për të forcuar transparencën e sistemit financiar dhe ligjor ", tha presidenti Juan Carlos Varela në një fjalim televiziv, raporton Reuters
Në deklaratën e tij të shkurtër, Varela përsëriti se Panamaja do të punojë me vendet e tjera mbi skandalin “Panama papers”, i cili u botua në një hetim nga Konsorciumi Ndërkombëtar për Gazetari Hulumtuese, me bazë në SHBA. /Telegrafi/



















































