Në rrjetin social X është shfaqur një video promocionale e pazakontë nga Afganistani, e cila ka shkaktuar të qeshura në mbarë botën.

Bëhet fjalë për një video të publikuar nga administrata talibane me qëllim që të tërheqë – as më pak e as më shumë – turistë amerikanë në një vend që deri së fundmi ishte shkatërruar nga luftërat, ku amerikanët ishin ndër aktorët kryesorë.


Videoja, e shpërndarë nga profili “afghanarabic”, tregon turistë të huaj teksa shijojnë bukuritë natyrore të Afganistanit, provojnë kuzhinën lokale, por edhe – çuditërisht – pozojnë pranë luftëtarëve të armatosur dhe armëve talibane.

Në përshkrimin e videos thuhet edhe një mesazh drejtuar amerikanëve “pasi ju dëbuam nga vendi ynë, tani jeni të mirëpritur të vini si turistë ose mysafirë”.

Kjo “ofertë” e papritur vjen si pjesë e një qasjeje të re të PR-it të regjimit taleban, i cili që nga kthimi në pushtet në vitin 2021 po përpiqet të ridizajnojë imazhin e vet në arenën ndërkombëtare.

Sipas një analize të Qendrës Ndërkombëtare për Luftën kundër Terrorizmit nga viti 2016, strategjia mediatike e talebanëve deri atëherë ishte pothuajse jo-ekzistente dhe plotësisht jo-transparente.

Sot, po shohim përpjekje për komunikim më të sofistikuar dhe fushata që synojnë të ndryshojnë perceptimin ndërkombëtar.

Megjithatë, në realitet, Afganistani mbetet një nga vendet më të rrezikshme në botë për të udhëtuar. Departamenti i Shtetit Amerikan, në rekomandimin e tij më të fundit të korrikut 2025, këshillon fuqishëm që të mos udhëtohet drejt këtij vendi, duke përmendur kërcënime serioze për sigurinë, përfshirë terrorizmin, trazirat civile dhe mungesën e shërbimeve konsullore.

Dhe ndërsa në video shfaqen turistë të buzëqeshur dhe peizazhe përrallore, mbetet e paqartë nëse – ose sa – vizitorë të huaj do ta pranojnë këtë ftesë nga një regjim që për vite me radhë ishte simbol i represionit, dhunës dhe ekstremizmit.

Ironikisht, kjo video promocionale ngjan më shumë me një përzierje satire dhe humori të zi sesa me një ftesë serioze turistike – megjithëse, mesa duket, talebanët nuk e shohin kështu. /Telegrafi/