Telegrafi

Pamje nga vizita e Kurtit në veri – vizita në Leposaviq, dreka në HEB’s dhe takimet me qytetarë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti të martën vizitoi veriun e vendit ku zhvilloi disa takime me qytetarë si dhe vuri gurthemelin e nënstacionit policor në fshatin Leshak dhe Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC) në Leposaviq.

Ai po ashtu vendosi edhe gurthemelin e dy shtëpive në fshatrat Cerajë dhe Bistricë.

Pas vizitave që bëri në veri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Kurti ka shkruar se do të angazhohen çdo ditë, pasi siç u shpreh “sepse jemi të interesuar që shërbimet e institucioneve të jenë sa më cilësore e sa më afër të gjithë qytetarëve, e mirëqenia e tyre të jetë sa më e madhe”.

“Në Leposaviq vendosëm gurthemelin e objektit të ri që do të akomodojë degën e Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe nën-stacionin e Policisë së Kosovës në fshatin Leshak, si dhe gurthemelet e shtëpive të reja të familjes Hajdari në Bistricë dhe familjes Miftari në Cerajë. Komunat veriore po ndërlidhen me komunat e tjera të vendit edhe përmes akseve rrugore të reja. Sot, pamë nga afër punimet në rrugën që lidh zonat e Mitrovicës së Jugut me qarkoren Zubin Potok – Zveçan, e cila është e gjatë 6.5 kilometra”, ka shkruar Kurti.

Tutje ai tha se: “Në veri të Ibrit në Mitrovicë, përveçse dëgjuam nga kryetari Erden Atiq më shumë mbi planet e projektet e komunës, ecëm rreth qytetit, duke u ndalur edhe te bizneset e reja që po hapen atje e po e rrisin punësimin, por edhe te Ura e kryesore e Mitrovicës, që bashkon dy anët e brigjeve të lumit Ibër”.

Ndryshe, në këtë vizitë, Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. /Telegrafi/