Eksploruesit e detit kanë kapur pamje të pabesueshme të mbetjeve të tri anijeve ikonë nga Lufta e Dytë Botërore.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, qindra milje larg Midway Atoll, pothuajse në gjysmë të rrugës midis SHBA dhe Japonisë, imazhet janë fotografitë e para nga afër të një aeroplanmbajtëse japoneze që nga fundosja e saj në vitin 1942.
Anija Eksplorimi Nautilus, e operuar nga organizata jofitimprurëse Ocean Exploration Trust, kreu kërkimet rreth rrënojave.
Përveç Akagi, që u gjet për herë të parë në vitin 2019, ekipi kreu gjithashtu kërkimet e para gjithëpërfshirëse të Kaga të Marinës Perandorake Japoneze dhe USS Yorktown.
USS Yorktown u zbulua 25 vjet më parë në maj të vitit 1998 gjatë një ekspedite të përbashkët të Marinës së SHBA dhe të Shoqatës Kombëtare Gjeografike të udhëhequr nga Robert Ballard, themeluesi i Ocean Exploration Trust, në bashkëpunim me Marinën.
Automjetet me telekomandë u përdorën për të kapur imazhe të anijeve me misionin që përfshinte më shumë se 100 ekspertë nga vende të ndryshme. /Telegrafi/