Pamje dramatike nga Arabia Saudite - shembet atraksioni turistik, disa të lënduar

Një aksident i rëndë ndodhi dje në parkun argëtues Green Mountain në Taif, ku atraksioni “360 Shkallë” u shemb papritur gjatë funksionimit, duke shkaktuar plagosjen e 23 personave, prej të cilëve tre janë në gjendje kritike.
Sipas dëshmive, shtylla qendrore e atraksionit u thye papritur, duke bërë që platforma të bjerë nga lartësia me pasagjerët të lidhur ende në vendet e tyre.
Disa prej tyre u goditën nga struktura që ra, ndërsa të tjerë pësuan lëndime nga përplasja me tokën, raportojnë mediat.
Spitalet në qytet shpallën “Kod të verdhë” dhe trajtuan viktimat, disa prej të cilëve u dërguan me urgjencë për trajtim të specializuar.
Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e aksidentit dhe për të marrë masa për sigurinë në parkun argëtues.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka ngritur shqetësime për standardet e sigurisë në atraksionet e tilla. /Telegrafi/










































