LAJMI I FUNDIT:

Pacolli: Ish-Pallati i shtypit do të kalojë ekskluzivisht në shërbim të të rinjve

Pacolli: Ish-Pallati i shtypit do të kalojë ekskluzivisht në shërbim të të rinjve

Gjatë një konference për medie sot, kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga AKR, Selim Pacolli, deklaroi se ish pallati i mediave “Rilindja” do të kalojë ekskluzivisht në shërbim të të rinjve të Kosovës.

Ky objekt sipas tij duhet të funksionalizohet në shërbim të tyre, që ata të kenë mundësinë e zhvillimit të aktiviteteve, inovacioneve në fushën e teknologjisë informative dhe në lëmi të tjera  të cilat do të ishin atraksion për kompanitë e mëdha botërore.

Në mbështetje ndaj të rinjve të Kosovës ai deklaroi se do të punojë në maksimum për krijimin e vendeve të reja të punës duke i lidhur ata me kompani të mëdha botërore


“Pretendoj që të rinjve të Kosovës të ju ofrojë kontakte me kompanitë e mëdha botërore, siç janë Google Earth, Samsung,Philips, Apple, që në të ardhmen të krijojmë më shumë vende të reja të punës”, tha Pacolli.

Për më tepër ai theksoi se duke krijuar kushte më të mira, të rinjtë e Prishtinës nuk do ta kenë alternativë të vetme Evropën, mirëpo Evropa do t’i sheh ata si alternativë.

Sa i përket Pallatit të Rinisë, Pacolli deklaroi se ky pallat duhet të ju kthehet në shërbim të rinjve, duke i liruar ata nga çdo pagesë për shfrytëzim të tij.