Site icon Telegrafi

Pa viza edhe në Spanjë? Karabaxhaku: Nga Ambasada spanjolle në Shkup më njoftuan se mund të udhëtojmë lirshëm

Spanja, Qipro, Sllovakia, Greqia dhe Rumania janë në mesin e pesë vendeve të Bashkimit Evropian (BE) që nuk e njohin shtetin e Kosovës ndonëse përveç Spanjës, katër vendet tjera e njohin pasaportën. 

E, qytetarët e Kosovës nga 1 janari gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e zonës Shengen, megjithëse për shkak të mosnjohjes të pasaportave nga Spanja nuk dihej qartë nëse lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës do të vlente edhe në këtë shtet.

Megjithatë, duket se gjërat kanë lëvizur në drejtim të duhur e në favor të qytetarëve kosovarë që duan ta vizitojnë Spanjën.

Lexo po ashtu Mediumi spanjoll shkruan për liberalizimin e vizave: Një hap i ri drejt njohjes nga BE-ja

Pronari i kompanisë farmaceutike “Komot Pharm”, Fatmir Karabaxhaku ka thënë në një prononcim për Telegrafin se tashmë Spanja e njeh pasaportën e Kosovës.

Karabaxhaku këtë deklaratë e dha bazuar në emailin zyrtar që i është kumtuar atij nga Ambasada e Spanjës në Shkup.

“Ne jemi pajisur gjithmonë dhe në çdo kohë me viza spanjolle si kompani. Pata me udhëtu prapë në muajin tjetër në Spanjë, dhe zyrtarisht sot e mora e-mailin zyrtar që ne nuk kemi nevojë që të pajisemi me viza dhe aplikohet i njëjti standard sikurse në të gjitha shtetet e zonës Schengen.

Kjo është një e-mail nga Ambasada e Spanjës që është në Shkup, e cila deri më tani ka dhënë viza”, ka thënë Karabaxhaku për Telegrafin.

Telegrafi gjithashtu i ka shkruar përmes një e-mail edhe Ambasadës së Spanjës në Shkup si dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Spanjës për të marrë një përgjigje zyrtare në lidhje me këtë çështje.

Ndryshe, kohë më parë kur ishte në pyetje çështja e liberalizimit të vizave Spanja nuk ka kundërshtuar heqjen e vizave, por ka mbajtur një raport konfuz se si do ta trajtojë vendimin e marrë. /Telegrafi/

Exit mobile version