Site icon Telegrafi

Osmani pas takimit: Gjithçka ishte në frymën pozitive, pres mbështetje prej ish-kolegëve – do të takohem edhe njëherë me Abdixhikun

Kandidatja për Presidente të Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se gjithçka në këtë takim ishte në frymë pozitive, ndërkaq u shpreh se pret mbështetej nga ish-kolegët e saj në LDK.

Osmani në një deklaratë për Telegrafin tha se kanë diskutuar në këtë takim në detaje për platformën e saj presidenciale, ndërkaq u shpreh se pret që LDK-ja ta njoftojë për qëndrimin përfundimtar gjatë ditëve në vijim

“Përgjithësisht ishte një takim shumë i mirë. Kisha mundësi që në detaje të flas për platformën time presidenciale, për fushat të cilat janë brenda funksionit të kreut të shtetit dhe mënyrën se si do t’i qasem opozitës në të ardhmen, sa i përket bashkëpunimit në këto fusha, kryesisht në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, por edhe çështje të tjera që është e domosdoshme që të shtyhen përpara”, theksoi Osmani.

Ajo tha se pret që ish-kolegët e saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ta përkrahin për tu zgjedhur presidente.

“Natyrisht unë pres përkrahje nga ish-kolegët e mi edhe të gjithë deputetëve, sepse është në interes të vendit që të bëjmë konstituomin e institucioneve sa më parë që të jetë e mundur që të kemi të tri institucionet funksionale dhe jam e bindur që të gjithë e kemi atë qëllim të përbashkët, ai është që ta çojmë Kosovën përpara”, u shpreh ajo, transmeton Telegrafi.

 

Komentet e Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut pas takimit të tyre

Osmani theksoi se bashkëbisedimi me kryetarin dhe nënkryetarin e LDK-së ishte shumë kolegial.

“Ishte një bashkëbisedim shumë kolegial me njerëz me të cilët kam bashkëpunuar në këto 20 vitet e fundit, natyrisht ishte gjithçka në frymën pozitive. Pasi e prezantova këtë platformë presidenciale kreu i LDK-së, Abdixhiku dhe nënkryetari i LDK-së kërkuan të rikthehen në organet e partisë së tyre dhe të diskutojnë më në detaje, dhe pastaj do të takohemi edhe njëherë në ditët në vijim shumë shpejt, sepse afatet po rrjedhin, dhe të më njoftojnë për qëndrimin e tyre përfundimtar”, tha tutje.

Osmani po ashtu u shpreh e gatshme që të takohet me secilën parti dhe secilin deputet për të diskutuar për platformën e saj presidenciale.

Lexo po ashtu Abdixhiku e quan pozitiv takimin me Osmanin, por ende nuk ka qëndrim final për mbështetjen e saj

“LDK-ja ka kërkuar që ta mbajmë këtë takim, por natyrisht unë jam e gatshme që të takohem me të gjitha partitë dhe ta diskutoj në detaje platformën presidenciale por edhe me deputetë individual nëse ka interesim”, tha ajo.

Sa i përket datës për mbajtjes së seancës, Osmani u shpreh se po presin që formalisht të zëvendësohen deputetët.

“Janë edhe disa procedura që duhet të kalon, kur të njoftohemi që këto kushte procedurale janë plotësuar do të ulemi me partitë politike për të parë nëse mund të procedojmë përpara me seancën. Sa i përket deputetëve të listës “Guxo”, nuk ka pasur asnjë kërkesë të vetme nga ana e z.Abdixhiku. Deputetët i nënshtrohen vetëm mandatit të lirë dhe i përgjigjen vetëm votuesve. Qartësimet që janë kërkuar kanë qenë në raport me presidenten e ardhshme e jo me deputetët”, theksoi Osmani.

Ndryshe, kandidatja për presidente Vjosa Osmani dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku janë takuar gjatë ditës së sotme për të disktuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Takimi Vjosa Osmani-Lumir Abdixhiku / Foto: Ridvan Slivova

Kreu i LDK-së, Abidxhiku tha se takimi me Osmanin ka qenë pozitiv, transmeton Telegrafi.

“Kemi diskutuar për çështjen e presidentit, takimi ishte i frytshëm, takimi ka qenë pozitiv, dhe është zhvilluar në atmosferë të mirë mes njerëzve që kanë bashkëpunuar një kohë të gjatë. Kemi diskutuar për platformën që pretendentja për presidente, Vjosa Osmani dëshiron ta ndërtojë në rolin e saj, kemi diskutuar rreth kësaj. Nuk kemi vërejtje rreth kësaj. Po ashtu kemi diskutuar për qëndrimin e saj karshi subjekteve politike”, tha ai.

Abdixhiku tha se me Osmanin do të takohen sërish, kurse vendimin final se a do ta mbështesin për presidente, tha se do ta marrin pas konsultimeve të brendshme në LDK. /Telegrafi/

 


Exit mobile version