Osmani, liderëve partiakë: Jam e gatshme t’ju pres për ta diskutuar rrugën përpara
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar kryetarët e partive politike parlamentare në një takim për të diskutuar hapat e ardhshëm pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ftesa e Presidentes vjen si përgjigje ndaj një letre zyrtare të dërguar nga kryesuesi i seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë, Avni Dehari.
Në letrën e saj drejtuar Kuvendit, Osmani ka theksuar se garantimi i funksionimit kushtetues të institucioneve është një ndër përgjegjësitë themelore të saj si Presidente e vendit.
Ajo ka nënvizuar se, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, kërkohet një interpretim që lehtëson dhe mundëson themelimin dhe funksionimin e institucioneve kushtetuese, e jo që e pengon atë.
“Në përmbyllje të kësaj letre, si presidente e vendit dhe kreu i shtetit, në kuadër të kompetencave kushtetuese përkitazi me nenin 4, paragrafi 3 dhe nenin 84, paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shpreh gatishmërinë time që t’ju mirëpres juve dhe kryetarët e partive politike parlamentare për ta diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë është e nevojshme”, thuhet në letrën e Presidentes.
Kjo nismë vjen në një moment kyç për procesin e formimit të institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të mbajtura dhe situatës së krijuar pas mosarritjes së konstituimit të Kuvendit./Telegrafi/





























