Osmani: Kushtetuesja të mos lejojë që cilado parti politike ose komunitetet të ketë të drejtën e vetos në procese jetike për shtetin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka dërguar komentet në Gjykatën Kushtetuese pas vendosjes së masës së përkohshme nga Kushtetuesja lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Lidhur me këtë e para e shtetit ka mbajtur një konferencë për media, gjersa ka theksuar se po synohet të bllokohet shteti për një nënkryetar.
Presidentja në përfundim të komenteve të saj ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të mos lejojë që cilado parti politike apo komunitet të ketë të drejtën e vetos në procese jetike për shtetin, siç është konstituimi i organit më të lartë përfaqësues të tij.
“Në bazë të asaj që u argumentua si dhe duke pasur parasysh natyrën përfundimtare të interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata ka para saj mundësinë për ta përcaktuar një standard tejet të rëndësishëm për rastin në fjalë dhe secilin proces të ardhshëm të konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Prandaj, me respekt kërkoj nga Gjykata Kushtetuese që të mos lejojë që cilado parti politike apo komunitet të ketë të drejtën e vetos në procese jetike për shtetin, siç është konstituimi i organit më të lartë përfaqësues të tij. Çdo përcaktim ndryshe, rrezikon që të legjitimojë bllokime procedurale të themelimit të institucioneve kyçe, në nivel të normës kushtetuese, juridikisht të detyrueshme”, thuhet në përfundim të komenteve.
Tutje thuhet se vetoja mbi Republikën nuk ka qenë kurrë as qëllimi i themeluesve të shtetit, e as i hartuesve të Kushtetutës.
“Duke ia dhënë një partie politike që përfaqëson një komunitet veton mbi funksionalizimin e Kuvendit, e rrjedhimisht edhe të Qeverisë, Presidencës, e gati çdo institucioni tjetër shtetëror që zgjedhet në Kuvend, Republika do të zhvleftësohej duke u shndërruar në një parim në letër, në vend se të jetë veprim i çdoditshëm në mbrojtje të sovranitetit e të interesave të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, thuhet tutje.
Sipas saj, është në duar të kësaj Gjykate, që ta mbrojë shtetin nga rreziku që po i kanoset.
“Vendimi në rastin konkret nuk ka të bëjë thjesht me një pozitë të një nënkryetari nga komuniteti serb, por lidhet me funksionalitetin e shtetit tonë si tërësi. Në marrjen e këtij vendimi, shpresoj se do të udhëhiqeni nga mbrojtja e interesit më të mirë të Republikës së Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe siç ju ngarkon betimi që keni dhënë ndaj Republikës së Kosovës”, thuhet në komente.
Komentet e presidentes Osmani mund t’i lexoni më poshtë. /Telegrafi/


















































