Deputetët e opozitës kanë nisur aksionin e tyre dhe këtë e kanë bërë që nga salla e Kuvendit, aty ku këtë të hënë mbahej seanca plenare.
Deputetët e opozitës bllokuan fillimisht foltoren, ndërsa kryetarja Spiropali tentoi të vijonte normalisht agjendën. Deputeti Gazment Bardhi theu një karrige pranë foltores, ndërsa deputetët e tjerë kanë hedhur sende në drejtim të kryetares Spiropali.
Më pas, opozita nxori jashtë karriget e Kuvendit dhe vuri flakën në hyrje të sallës.
Ndërsa zjarri digjte karriget e Kuvendit, Gazment Bardhi u pyet nga gazetarët nëse kjo do të thotë djegie mandati, Bardhi u përgjigj “jo”. Ai që i dogji njëherë mandatet – tha ai – e beri për t’u shmangur nga beteja.
“Karriget tona janë të qytetarëve, Edi Rama ka djegur parlamentin. Ne dorëzojmë karriget tona, duke i djegur të parët. Ne jemi për qytetarët dhe për interesin e qytetarëve. Djegien e mandateve e bëri kush e beri dhe ishte shmangie nga beteja. Ne nuk shmangemi nga beteja, do na kenë përballë cdo moment”, tha Bardhi.
Ndërkohë, mes tensionit, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka njoftuar vakancën e krijuar pas burgosjes së Ervin Salianjit. Në fjalën e saj, Spiropali tha se njoftimi duhet t’i bëhet KQZ. “Njoftoj vakancën për shkak të zbatimit penal të formës së prerë ndaj zotit Salianji dhe të bëhet njoftimi pranë KQZ”, tha Spiropali. /A2 CNN