Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel është gati të mbikëqyrë një pastrim masiv këtë verë, duke larguar plot lojtarë të panevojshëm.
Antonio Rudiger ka përfunduar tashmë transferimin e tij në Real Madrid si një transferim i lirë, me Andreas Christensen të vendosur të largohet për në Barcelonë në fund të kontratës së tij.
Edhe dy mbrojtësit tjerë, spanjollët Cesar Azpilicueta dhe Marcos Alonso janë në ditët e fundit të kontratave dhe gjenden në radarin e katalunasve.
Sipas mediumit The Telegraph, Chelsea do të dëgjojë ofertat edhe për plot lojtarë tjerë të cilët cilësohen si të zëvendësueshëm.
Timo Werner dhe Hakim Ziyech janë dy emrat e parë që mund të largohen për ofertat e duhura, pasi nuk kanë arritur të përshtaten në Ligën Premier, pas bashkimit nga RB Leipzig dhe Ajax respektivisht.
Christian Pulisic gjithashtu mund të largohet, ndërsa klubi është ende duke negociuar me Interin për një marrëveshje për qendërsulmuesin Romelu Lukaku.
Michy Batshuayi, Kenedy, Ruben Loftus-Cheek dhe Ross Barkley janë të tjerët që po reklamohen në të gjithë Evropën.
Kështu, afati kalimtar i kësaj vere pritet të jetë shumë aktiv për Blutë që mund të largojnë deri në 12 lojtarë, ndërsa priten edhe transferime të mëdha pas ndërrimit të pronësisë. /Telegrafi/