Operacion i suksesshëm i FSK-së në Jezhnicë, tërhiqet trupi i pajetë

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar me sukses një operacion të kërkim-shpëtimit në zonën afër Liqenit të Jezhnicës, në komunën e Shterpcës, ku është realizuar tërheqja e trupit të pajetë të një personi.
Sipas njoftimit zyrtar, pas marrjes së informacioneve nga Qendra e Situatave e Qeverisë së Kosovës, Garda Kombëtare e FSK-së ka angazhuar togun e Kërkim-Shpëtimit Malor, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe autoritetet lokale.
Operacioni është cilësuar si sfidues për shkak të terrenit malor, por u realizua me sukses. Trupi i pajetë është dorëzuar tek autoritetet kompetente për procedura të mëtejshme ligjore.
FSK falënderoi të gjitha institucionet e përfshira për bashkëpunimin dhe gatishmërinë në këtë mision humanitar dhe profesional. /Telegrafi/


















































