Nxënës të përzgjedhur nga disa shkolla të Komunës së Malishevës po marrin pjesë këtë vit në testimin ndërkombëtar PISA, i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit 

PISA është një test ndërkombëtar që mat njohuritë dhe aftësitë në fushat e leximit, matematikës dhe shkencës, duke vlerësuar jo vetëm atë që nxënësit dinë, por edhe aftësinë e tyre për t’i aplikuar këto njohuri në situata të reja dhe komplekse.


Sipas të dhënave paraprake nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Malishevë, nxënësit e përfshirë në testim janë vlerësuar në një nivel mesatarisht të ulët.

Shefi i kësaj drejtorie në komunën e Malishevës, Sabit Berisha, i cili i vizitoi nxënësit gjatë dy ditëve të testimit, bëri të ditur se ata kanë arritur të kuptojnë dhe të përdorin njohuritë bazë, por ende përballen me sfida në zbatimin praktik të tyre në kontekste më të ndërlikuara.

Zyrtarë komunalë dhe drejtues shkollash në Malishevë kanë vlerësuar pjesëmarrjen në PISA si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit në komunë.

“Ky test na jep një pasqyrë reale për gjendjen e arsimit në nivel lokal dhe na orienton drejt përmirësimeve që duhen bërë.” u shpreh njëri nga zyrtarët e arsimit në komunën e Malishevës.

Rezultatet përfundimtare të testimit PISA priten të publikohen në fund të vitit 2025 dhe pritet të ndihmojnë në hartimin e politikave të përshtatshme arsimore, si në nivel komunal, ashtu edhe kombëtar.