LAJMI I FUNDIT:

Nuhiu: Lojtarët luftuan shumë dhe me meritë morën fitoren

Nuhiu: Lojtarët luftuan shumë dhe me meritë morën fitoren

Drita ka vazhduar me fitore, pasi ka mposhtur Dukagjinin në udhëtim me rezultat minimal 0-1.

Për gjilanasit kjo ishte fitorja e tretë radhazi, derisa u arrit falë golit nga kapiteni Ardian Limani në minutën e gjashtë të sfidës.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka thënë pas ndeshjes se kishin parashikuar se do të ishte një ndeshje e vështirë, por morën fitore të merituar sipas tij.


“Kishim parashikuar ndeshje të fortë, të luftuar. Dua t’i përgëzoj djemtë për luftën, sakrificën. Kishim diskutuar që më e rëndësishme është të merren pikët sepse fusha nuk na lejoi të bënim lojë”.

“Lojtarët luftuan shumë dhe me shumë meritë mendoj se e morëm fitoren. Kishim raste për ta mbyllur lojën më herët, por duhet përmendur se edhe Dukagjini na vuri në vështirësi disa herë”, deklaroi Nuhiu.

Dukagjini rrezikoi shumë pas epërsisë së Dritës, derisa Nuhiu tha se mbrojtja reagoi mirë dhe portieri Faton Maloku.

“Gjithmonë kundërshtari kërkon të marrë barazimin, njësoj ndodhi edhe sot. Por, lojtarët reaguan mirë. Te rasti i Ergyn Ahmetit reagoi Faton Maloku. Tani e kemi ndeshjen e radhës. Orari është i ngjeshur, por kemi futbollistë të rëndësishëm. Besniku kreu punën në mënyrën më të mirë sot. E nga sot duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës”, është shprehur Nuhiu.

Drita mbetet lider me 27 pikë, derisa Dukagjini është në vendin e nëntë me tetë pikë.

Ndeshjen e ardhshme Drita e zhvillon në shtëpi me Prishtinën, derisa Dukagjini luan në udhëtim te Llapi. /Telegrafi/