LAJMI I FUNDIT:

Një orë protestë dhe tre policë të lënduar! Mbyllet tubimi i opozitës

Një orë protestë dhe tre policë të lënduar! Mbyllet tubimi i opozitës

Me thirrjen “Rroftë Shqipëria” dhe me flamurin kombëtar të valëvitur prej tij, Sali Berisha e mbylli protestën kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike këtë të shtunë, ku u bë thirrje për qeveri teknike dhe u dënua korrupsioni i qeverisë Rama.

Vetëm një orë zgjati tubimi i opozitës. Në orën 5:40 Sali Berisha pas marshimit nga selia blu mbërriti në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në 6:43 minuta u largua nga skena, ndërsa protestuesit u shpërndanë menjëherë pas tij.

Tubimi ishte organizuar në një format, ku u dëgjuan fjalimet e tre aleatëve kryesorë, Fatmir Mediu, Agron Duka dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili iu drejtua protestuesve me një audiomesazh nga qelia numër 5.


Pas tyre fjalimi i Berishës zgjati 30 minuta dhe u përqendrua te akuzat drejt kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, por edhe te thirrja për Diasporën që të votojë Partinë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit.

Pavarësisht se u duk që mungoi nervi i protestave të mëparshme, e po ashtu edhe molotovi, tre efektivë policie mbetën të lënduar, pasi në momentin kur Berisha u ngjit në podium protestuesit hodhën kapsolla dhe tymuese në drejtim të kordonit të vendosur para Kryeministrisë. Një punonjëse e policisë ka marrë dëmtime në sy, një efektiv në dorë e një tjetër në fytyrë.

Sakaq, Berisha menjëherë pas tubimit është nisur për në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, nga ku në orën 21:30 të mbrëmjes do të fluturojë në drejtim të Italisë. Kryedemokrati do të ndalet në Romë, ku do të ketë nesër takime me emigrantët shqiptarë që jetojnë në kryeqytetin italian, në kuadër të turit të Diasporës./A2 CNN