Site icon Telegrafi

Një fund i lumtur për taksistin shqiptar Hazir Stublla që kishte gjetur portofolin e Neuer – legjenda gjermane Matthaus ia blen fanellën

Pak javë më parë, Manuel Neuer, portieri dhe kapiteni i Bayern Munich, hipi në një taksi në Odeonsplatz të Mynihut, ku taksisti shqiptar Hazir Stublla e ka njohur pasagjerin, por nuk ka biseduar me të gjatë rrugëtimit.

Pasi në fund të ndërrimit taksisti gjithmonë e pastron veturën, ai duke e bërë këtë gjë, gjeti portofolin e portierit të njohur.

Aty kishte 800 euro , karta krediti dhe dokumente të yllit gjerman të futbollit.

48-vjeçari Stublla filloi menjëherë punën që ta kthente portofolin, ku të nesërmen ai u nis për në Mynih dhe kërkoi adresën e portierit në kryeqytetin e Bavarisë. Ai nuk e takoi Neuerin, por që portofolin e la te agjencia konsulente e Neuerit.

Pak ditë më vonë, babai i katër fëmijëve mori një paketë. 48-vjeçari shpresonte për një shpërblim të majm. Kur hapi paketën, ai gjeti një fanellë të Bayernit të firmosur nga Neuer.

Prandaj, shoferi i taksisë ishte i zhgënjyer.  “Ky çmim është një shaka. Unë kam katër fëmijë, dhe nuk mund të bëj asgjë me fanellën”, kishte thënë taksisti për Bild.

Lexo po ashtu Taksisti që gjeti portofolin e Manuel Neuer është shqiptar - Hazir Stublla ka folur për zhgënjimin me shpërblimin e portierit

Neuer nuk ka folur ende për ngjarjen pasi 37-vjeçari aktualisht është në një turne në SHBA me Bayern Munich.

Megjithatë, ka pasur një fund të lumtur për Stubllën, i cili duhet se kërkonte më shumë nga gjesti që kishte bërë.

Legjenda e Bayern Munich, Lothar Matthaus, e dëgjoi historinë dhe e bleu fanellën nga shoferi i taksisë për 1000 euro.

61-vjeçari gjithashtu do ta nxjerr në ankand fanellën për një qëllim të mirë, ku fitimeve i mjeteve do të shkojë për bamirësi.

“Unë e di nga përvoja ime se si është të humbasësh portofolin. Problemi është përpjekja më pas. Përkushtimi i Hazirit më duket edhe më i vlefshëm për ta shpëtuar Manuelit nga telashet”, citohet të ketë thënë Matthaus.

Edhe taksisti Hazir Stublla thotë se tani është i lumtur, ndërsa ish lojtari i Bayernit dhe Interit është heroi i tij. “Më pëlqente Lothar si lojtar, por tani ai është heroi im”, deklaroi ai.

Me 1000 euro, ai do të riparojë makinën e tij private dhe të dalë për akullore me fëmijët e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version