Site icon Telegrafi

Një anije mallrash në pronësi japoneze u godit nga një raketë në brigjet e Ukrainës – këta të fundit akuzojnë Rusinë

Një anije mallrash në pronësi japoneze u godit nga një raketë në brigjet e Ukrainës në Detin e Zi të premten, duke lënduar lehtë një anëtar të ekuipazhit, tha të shtunën një zyrtar nga një firmë japoneze e transportit detar.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, zyrtari shtoi se në bord ishin 20 anëtarë të ekuipazhit.

Bazuar në deklaratën e lëshuar në faqen e Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës të shtunën, raportet paraprake tregojnë se raketa u shkrep nga forcat ruse dhe goditi pjesën e pasme të anijes së ngarkesave “Namura Queen” të premten.

“Në ndihmë ka ardhur rimorkiatori ‘P&O STAR’. Situata është nën kontroll”, thuhet në postim. Më tej thuhet se anija po lundronte nën flamurin panamez dhe po shkonte për në portin Pivdennyy.

Transmetuesi publik japonez NHK raportoi të shtunën se ekuipazhi i “Namura Queen” janë të gjithë të sigurt. Sipas një faqe interneti që gjurmon pozicionet e anijeve, anija aktualisht është në rrugë për në Stamboll, Turqi.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës raportoi gjithashtu se një anije tjetër u granatua nga një luftanije ruse të premten. Anija, “Millenial Spirit”, po lundronte nën flamurin moldav dhe po bartte 600 tonë naftë dhe benzinë në bord kur u godit. Dy anëtarë të ekuipazhit u lënduan rëndë si pasojë e kësaj, sipas ministrisë. /Telegrafi/

Exit mobile version