Banorët në Florida po flasin hapur pasi ndihmuan në shpëtimin e katër personave, pasi aeroplani me të cilin udhëtonin u përplas me një pemë dhe u përfshi nga flakët.

Aeroplani i vogël u rrëzua në Pembroke Pines të shtunën, 1 milje larg një piste në aeroportin North Perry, transmeton Telegrafi.


Incidenti u kap në videon e kamerave të sigurisë dhe nga fqinjët, të cilët u panë duke nxituar në vendngjarje.

Një fqinj, TJ Jordan, i tha stacionit ABC Neës Miami ËPLG, se motori i aeroplanit "po digjej 25 metra larg shtëpisë sime, dhomës së djalit tim".

Banorja Giovanna Hanley i tha ABC News se ajo, vjehrri i saj dhe fqinjët e tyre nuk hezituan të ndihmonin.

"Një [person] solli një sëpatë. Kishim dy fqinjë me një tub uji që po hidhej brenda", tha Hanley.

"Vjehrri im e çoi sëpatën në dritare, duke filluar ta thyente. Dikush madje solli një fikës zjarri", shtoi ajo.

Hanley dhe vjehrri i saj ishin dy nga njerëzit e parë në vendngjarje dhe punuan për të hapur një rrugë për të nxjerrë pasagjerët.

"Vjehrri im u hodh në veprim pa kërkuar ndonjë vlerësim apo lëvdatë. Ata e bënë sepse ky është lloji i njerëzve që janë", tha Hanley.

Katër pasagjerë u shpëtuan dhe u shtruan në spital pas rrëzimit të aeroplanit. /Telegrafi/