Një Nissan Skyline GT-R unik – i cili u bë i famshëm pasi u shfaq në franshizën e filmave Fast and Furious – tani mban një vend në historinë e veturave pasi regjistroi çmimin më të lartë të shitjes për modelin klasik japonez.
Në një ankand të Bonhams në Belgjikë, ky Nissan ‘Bayside Blue’ u shit për një çmim të lartë prej 1.18 milionë dollarëve – ose më sakt 1.357 milionë dollarë duke përfshirë tarifat e ankandit – dhe kështu duke kaluar rekordin e mëparshëm të shitjes për një Skyline GT-R me afërsisht 170 mijë dollarë.
Siç u raportua javën e kaluar, një koleksionist australian i makinave pretendoi se kishte shpenzuar një shifër rekord të pazbuluar për një Nismo 400R – një variant i rrallë me performancë të lartë të Nissan Skyline GT-R – megjithëse ata nuk deklaruan se për sa para ajo tejkalonte shifrën e rekordit të mëparshëm, vlerë e cila shkon deri në afro 1 milionë dollarë, shkruan Drive, përcjell Telegrafi.
Rekordi më i fundit i konfirmuar i shitjes për një Nissan Skyline GT-R u vendos në nëntor 2022, kur një ekzemplar jashtëzakonisht i rrallë “Clubman Race Spec” u shit për 657 mijë dollarë.
Rekorderi i ri, Nissan Skyline GT-R ka qenë në qendër të vëmendjes më parë, duke u shfaqur si një nga veturat e famshme në filmin e vitit 2009 Fast and Furious, ku vozitej nga i ndjeri Paul Walker, i cili përsëriti rolin e tij kryesor si agjenti i FBI “Brian O’Conner”. /Telegrafi/