Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim njofton se mbrëmjen e së hënës ka nisur një operacion intensiv për kërkimin e Halim Ramadan Sopaj, i cili është raportuar i zhdukur më datë 05.10.2025 në fshatin Janqishtë, Komuna e Malishevës.

Në njoftim thuhet se ekipet janë në terren dhe po vazhdojnë kërkimet për të, transmeton Telegrafi.


"Ekipet tona janë në terren dhe po vazhdojnë kërkimet me intensitet të lartë. Ftojmë qytetarët që kanë ndonjë informacion të kontaktojnë menjëherë institucionet përkatëse", thuhet në njoftim.

Po ashtu, edhe komuna e Malishevës ka bërë të ditur se Halim Sopaj (1965) nga fshati Janqishtë ka dalë nga shtëpia në orët e mëngjesit të datës 05.10.2025 dhe nuk është kthyer.

“Luten te gjithë qytetarët, të cilët e kanë parë apo kanë ndonjë informacion, të lajmërojnë në numrat emergjent 112 ose 192.

Lidhur me rastin janë të njoftuara organet përgjegjëse policore, ndërsa edhe komuna e Malishevë ka ndërmarrë të gjitha masat në kërkim të personit të zhdukur. Janë aktivizuar ekipet përgjegjëse komunale, ekipet e kërkim shpëtimit dhe Policia e Kosovës, me njësitë përgjegjëse. Aksionit të kërkimit i janë bashkuar edhe banorë të fshatit Janqishtë dhe ekipet tjera vullnetare”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/