Nikolloski: Kemi siguruar grant prej 2.4 milionë euro për ndërtimin e pikës së përbashkët hekurudhore në Tabanoc

Zv. kryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe shefi i Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Fatih Turkmenoglu sot nënshkruan Marrëveshjen për grant investues prej 2,4 milionë euro për projektin për ndërtimin e kalimit të përbashkët hekurudhor kufitar Tabanoc.
Marrëveshja e grantit është pjesë e pakos investuese prej 7,6 milionë eurosh për ndërtimin e pikës së përbashkët kufitare hekurudhore ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë në Tabanoc.
Paraprakisht, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka miratuar një kredi prej 5 milionë euro për këtë projekt si dhe një grant prej 250 mijë eurosh.
Projekti parasheh ndërtimin e një objekti të ri të përbashkët për nevojat e Policisë Kufitare, Doganave dhe Shërbimeve Inspektuese të Maqedonisë dhe Serbisë, si dhe renovimin e objekteve ekzistuese në Tabanoc. Gjithashtu është planifikuar ndërtimi i infrastrukturës së re rrugore dhe komunale./Telegrafi/




















































