Tre raketa u shkrepën nga India përtej kufirit në territorin e kontrolluar nga Pakistani, thanë zyrtarët e sigurisë pakistaneze.

Ato goditën vende në Kashmirin e administruar nga Pakistani dhe në provincën lindore Punjab të vendit, transmeton Telegrafi


Ministria indiane e mbrojtjes tha se kishte nisur Operacionin Sindoor ndërsa goditi "infrastrukturën terroriste" në Pakistan dhe Xhamu dhe Kashmirin e pushtuar nga Pakistani, "nga ku janë planifikuar dhe drejtuar sulme terroriste kundër Indisë".

Ajo tha se gjithsej nëntë vende u shënjestruan. E një zëdhënës ushtarak pakistanez tha se vendi do t'u përgjigjet sulmeve, transmeton Telegrafi.

Sipas burimeve të paidentifikuara të sigurisë pakistaneze, një fëmijë është vrarë, ndërsa një burrë dhe një grua janë plagosur rëndë.

India kreu këtë "sulm frikacak nën mbulesën e natës", duke synuar qëllimisht civilë të pafajshëm pakistanezë, thanë zyrtarët e sigurisë.

Tensionet midis fqinjëve të armatosur me armë bërthamore janë përshkallëzuar, pas një sulmi në zonën e diskutueshme të Kashmirit muajin e kaluar.

Të paktën 26 persona, shumica e të cilëve ishin turistë indianë, u qëlluan për vdekje nga persona të armatosur në një vendpushim pranë qytetit turistik Pahalgam në pjesën e kontrolluar nga India të rajonit më 22 prill.

India e përshkroi masakrën si një "sulm terrorist" dhe tha se kishte lidhje "ndërkufitare", duke fajësuar Pakistanin për mbështetjen e saj.

Pakistani mohoi çdo lidhje me mizorinë, të cilën e mori përsipër një grup militant i panjohur më parë i quajtur Rezistenca e Kashmirit. /Telegrafi/