Nga sot nisen pakot me fletëvotime për votimin me postë

Procesi i votimit me postë për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit po hyn në fazën e zbatimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se sot nga ora 10:45 do të fillojë dërgimi i pakove me fletëvotime për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se dërgimi i pakove do të realizohet përmes një operatori ekonomik, nga depoja e DHL-së në Prishtinë.
Elezi ka theksuar se pakot me fletëvotime do t’u dërgohen votuesve të regjistruar jashtë Kosovës, të cilët kanë zgjedhur të votojnë përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Rreth 58 mijë votues kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi dhe KQZ-ja do t’ua dërgojë pakot në adresat e tyre përkatëse.
Fillimi i votimit me postë ishte planifikuar më herët, por është shtyrë për shkak se shtypja e fletëvotimeve, e realizuar në Slloveni për votuesit jashtë Kosovës, është përmbyllur vetëm më 12 dhjetor.
Në total janë 55 mijë e 103 votues që janë konfirmuar nga KQZ-ja për votim përmes postës. Ndërkaq për të votuar në përfaqësi diplomatike janë regjistruar mbi 19 mijë qytetarë. /Telegrafi/






































