LAJMI I FUNDIT:

Nga Romario deri te Neymar – tradita e brazilianëve në Camp Nou

Nga Romario deri te Neymar – tradita e brazilianëve në Camp Nou

Romario (1993), Ronaldo (1996), Rivaldo (1997), Ronaldinho (2003) dhe Neymar (2013). Neymar i bashkohet grupit të sulmuesve brazilianë që lanë gjurmë si sulmuesit më të mirë të dekadave të fundit. Secili nga këta ka arritur sukses në Camp Nou, ndërsa tani është radha e Neymarit.

Të dielën u bë publik lajmi se Barcelona ka siguruar shërbimet e yllit brazilian Neymar, edhe pse rivali i përbetuar Real Madridi tentoi t’ua vidhte nga dora, ai për pesë vitet e ardhshme do të luajë për Blaugranat.

Pas përfundimit të edicionit të 2012/13 ku Barcelona fitoi La Ligan por u turpërua keq nga Bayern Munichu në Ligën e Kampionëve, shumë pyetje janë ngritur se a është vërtetë ky ekip i varur nga i jashtëzakonshmi, Lionel Messi. Mungesa e tij në lojën e katalanasve u vërejt shumë në ndeshjen kundër PSG-së, të cilët për pak sa nuk i mposhtën, gjithashtu edhe në ndeshjen kundër Bayern Munichut u vërejt se pa ndihmën e tij, ekipi mund të thyhet lehtë.

Pedro, Villa, Sanchez dhe Tello nuk po ofrojnë aq shumë për Barcelonën së fundmi, e sidomos kur Messi mungon. Tani, me ardhjen e Neymar gjërat mund të ndryshojnë, sepse ai mund të jetë forca shtytëse që i mungon ekipit kur argjentinasi nuk mund ta bëjë atë.


21-vjeçari është ndër futbollistët më premtues në tërë planetin. Shpejtësia e tij dhe aftësitë me topin e bëjnë atë një lojtar që mund ta ndryshojë lojën në çdo moment dhe një makth të tmerrshëm për çdo mbrojtës. Edhe pse shumë njerëz thonë se Neymar nuk mund t’i bëjë gjërat që i ka bërë në Brazil edhe në Evropë, historia flet ndryshe për sulmuesit brazilianë që kanë shkelur në tempullin mitik të Camp Nout.

Romario dhe Ronaldo qëndruan pak por dhuruan shumë.

Romario i vodhi zemrat e tifozëve të Barcës me paraqitjet e tij magjike në sezonin 1993/94, ku ishte emëruar si “lojtari i filmave vizatimor” për aftësitë e tij të jashtëzakonshme. Kur ai nënshkroi për këtë ekip, i premtoi tifozëve se do t’i shënonte 30 gola, premtim të cilin e përmbushi me ekipin e ëndrrave të Johan Cruyffit, ku edhe e fituan titullin për të katërtën herë radhazi. Romario u kthye në Brazil në gjysmën e sezonit të ardhshëm. Pas largimit të tij, në Camp Nou erdhi fenomeni Ronaldo. Ai ishte një sulmues jashtëzakonisht i aftë, i shpejtë, i talentuar dhe brenda një sezoni shënoi 47 gola në 51 paraqitje zyrtare. Ai e ngriti Barcelonën në një nivel tjetër të lojës, por nuk qëndroi gjatë pasi iu bashkua Interit në sezonin e ardhshëm.

Rivaldo dhe Ronaldinho inspiruan një gjeneratë të tërë

Kur Ronaldo kaloi te Interi, Rivaldo erdhi në Camp Nou nga Deportivo. Rivaldo u bë yll i ekipit të Van Gaalit që fitoi dy tituj të La Ligas, ku shkëlqeu me të majtën e tij delikate dhe aftësitë e tij për t’i mposhtur mbrojtësit rivalë. Ai u zgjedh lojtari më i mirë në botë nga FIFA në vitin 1999.

Ardhja e Ronaldinhos në vitin 2003 shënoi një pikë kthimi në gjendjen e këtij klubi dhe e ktheu buzëqeshjen në fytyrat e tifozëve. Pas pesë viteve pa tituj, ai e udhëhoqi ekipin drejt dy titujve të La Ligas, dy Super Kupave të Spanjës dhe një titull të Ligës së Kampionëve. Në 145 ndeshje me Barcelonën ai shënoi 70 gola. Gjithashtu u zgjedh edhe lojtari më i mirë në botë në vitin 2005.

Evaristo, Giovanni dhe Anderson

Romario, Ronaldo, Ronaldinho dhe Rivaldo ndoshta ishin sulmuesit brazilianë më të suksesshëm të Barcelonës, por nuk ishin të vetmit që e kënaqen publikun në Camp Nou. Për shembull, në vitet e 50-ta, Evaristo de Macedo shënoi 173 gola në 219 ndeshje. Disa dekada më vonë në fund të 90-tave, Giovanni Silva dhe Sony Anderson gjithashtu dhuruan spektakël për katalanasit.

Shpërblimet e shumta të Neymarit

Krahasimi me Pelen nuk është edhe ekzagjerim i madh. Përkundër moshës së re, Neymar ka fituar shumë çmime dhe tituj në karrierën e tij. Ai u nominua për Topin e Artë të vitit 2011 dhe 2012 dhe gjithashtu për golin më të bukur të vitit 2010, 2011 dhe 2012 (Puskas). Ai gjithashtu u zgjodh si lojtari më i mirë amerikano-jugor në vitin 2011, duke u bërë kështu lojtari më i ri që e ka fituar ndonjëherë këtë çmim. Santosi ka shijuar një sukses të madh me të në ekip, duke fituar tri herë me radhë Kampionatin Paulista dhe Copa Libertadores në vitin 2011, ku Neymar u zgjodh si lojtari më i mirë i turneut.

Një gjë është e sigurt, pritjet për yllin brazilian që është kërkuar nga klubet më të mëdha në botë, do të jenë shumë të mëdha. Po ju lexues të nderuar, çfarë mendoni? A do të ketë sukses Neymar te Barcelona, apo do të dështojë të përshtatet në lojën e tyre? Shprehuni në hapësirën për komente…

/Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Kualifikohen 18 skuadra, Man City rrezikon seriozisht eliminimin - situata para ndeshjeve të fundit

Kualifikohen 18 skuadra, Man City rrezikon seriozisht eliminimin - situata para ndeshjeve të fundit

Liga e Kampionëve
I

I "uritur" për më shumë minuta - Arda Guler pajtohet t'i bashkohet gjigantit evropian këtë muaj

Serie A

"Favoriti sekret" i Ballakut për ta fituar Ligën e Kampionëve këtë sezon - do ta trondiste botën e futbollit

Liga e Kampionëve
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump zbulon se është mbështetës i gjigantit të Ligës Premier

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump zbulon se është mbështetës i gjigantit të Ligës Premier

Premier League
Juventus bën një tjetër goditje - Renato Veiga vishet bardhezi

Juventus bën një tjetër goditje - Renato Veiga vishet bardhezi

Serie A
Barcelona është e interesuar për 'Lamine Yamalin portugez'

Barcelona është e interesuar për 'Lamine Yamalin portugez'

La Liga
Kalo në kategori