Videoja që tregon flakët e gjelbra që ngrihen nga një kapak pusetash pas një shpërthimi në Universitetin Teknik të Teksasit, është bërë virale në internet.

Shërbimet e urgjencës u thirrën në vendngjarje në Lubbock pak pas orës 19:00, ku për fat të mirë nuk ka raportime për të lënduar nga shpërthimi, transmeton Telegrafi.


Kapiteni i zjarrfikësve të Lubbock, Jon Tunnell tha se zjarrfikësit gjetën flakë të gjelbër që shpërthyen nga një kapak pusetash.

Por ai shtoi se: “është shumë herët për të thënë saktësisht se me çfarë kemi të bëjmë atje”.

Një numër ndërtesash universitare u evakuuan pas shpërthimit, duke përfshirë bibliotekën e universitetit. Energjia elektrike u ndalë gjithashtu në të gjithë kampusin.

Studentët më vonë u lejuan të ktheheshin në dhomat e tyre të banimit, por u udhëzuan të shmangnin zonën.

Universiteti njoftoi se do të jetë i mbyllur të enjten dhe të premten, duke sjellë përpara fillimin e pushimit pranveror, i cili ishte planifikuar të fillonte të hënën. /Telegrafi/