Nga kamerat e "Safe City" nuk do të shpëtojnë as shoferët e ndërmarrjeve publike

Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme kanë evidentuar rreth 150 pika kritike në të gjithë Shkupin ku ose mungojnë shenjat për shpejtësinë e lejuar dhe sinjalistika ose duhet të riparohen. Vendet më kritike sipas Gjorgjievskit janë në afërsi të shkollave, ku parashikohet të vendosen “polic të shtrirë” apo barrikada me qellim ngadalësimin e shpejtësisë së automjeteve.
“Punojmë në largimin e këtyre 150 pikave kritike ku bëjnë pjesë mos vendosja e shenjave, sinjalizimi me drita. Është mirë që u ndryshua ligji sa i përket vendosjes së “policëve të shtrirë” dhe nëse në të kaluarën s’ka pasur mundësi ndërmarrjet publike në bulevarde të caktuara si pika kritike të vendosen “polic të shtrirë” tani kjo ndalesë është hequr dhe do të mund të ndërhyjmë”, tha Orce Gjorgjievski – Kryetar i Qytetit të Shkupit.
Gjorgjievski i pyetur nga Alsat se kush do të paguaje gjobën nëse shoferet e NQP-së, shkelin rregullat e komunikacionit dhe regjistrohen nga kamerat e “Safe City-it” ai u përgjigj:
“Edhe në Qytetin e Shkupit por edhe në të gjitha ndërmarrjet publike, përgjegjësia është tek ai që e drejton automjetin dhe i gjithë shpenzimi do të jetë në barrë të atij që e ka shkelur ligjin ndërsa atje ku nuk do të mund të konstatohet se kush e ka vozitur automjetin përgjegjësia shkon tek udhëheqësi përgjegjës për automjetet”, tha Orce Gjorgjievski – Kryetar i Qytetit të Shkupit.
Sipas Gjorgjievskit, në periudhën e ardhshme, do të ndërmerren veprime sipas praktikave të kompanive moderne në botë, me përdorimin e GPS-it dhe pajisjeve për lexim kartash, për automjetet e ndërmarrjeve, në mënyrë që të identifikohet shoferi dhe të monitorohet lëvizja e automjeteve. Kjo masë sipas tij vjen pas keqpërdorimeve të mëparshme, përfshirë edhe keqpërdorimin me karburantin. /Alsat/















































