Neymar falënderoi presidentin brazilian Jair Bolsonaro të shtunën për mbështetjen e tij në momentin “më të vështirë” të jetës së tij dhe tha se kjo është një nga arsyet për të mbështetur rizgjedhjen e tij.
Superylli kishte një bashkëbisedime me Bolsonaron në kanalin e tij në YouTube, derisa folën për shumë gjëra.
“Unë u pozicionova dhe nuk e thashë kurrë, por në momentin më të vështirë të jetës sime presidenti ishte i pari që tha publikisht se do të ishte pranë meje”, deklaroi Neymar.
“Pa na njohur personalisht, (Bolsonaro) tregoi dashuri dhe vuri gjoksin dhe fytyrën përpara duke besuar tek unë dhe tani po bëj të njëjtën gjë”.
Pa specifikuar se për cilin moment të jetës i referohej, Neymar rikonfirmoi mbështetjen e tij për kandidaturën e Bolsonaros, i cili më 30 tetor do të garojë në raundin e dytë të zgjedhjeve kundër ish-presidentit Luiz Inacio Lula da Silva.
Bolsonaro mbrojti Neymar kundër akuzave për përdhunim
Në vitin 2019, Bolsonaro doli publikisht në mbrojtje të Neymar kur futbollisti u akuzua nga një modele braziliane se e kishte përdhunuar në një hotel në kryeqytetin francez, në një çështje që u la në sirtar për mungesë provash.
Neymar u bëri thirrje figurave të tjera publike që votuan për Bolsonaron që ta mbështesin hapur para mbështetësve të tij.
“Bolsonaro është njeriu i duhur për të udhëhequr Brazilin tonë dhe ne po shohim se çfarë po bën dhe çfarë mund të përmirësojë ende”, shtoi ylli i PSG-së.
“U kërkoj të rinjve të ndjekin zemrat e prindërve të tyre dhe të bëjnë atë që duhet të bëjnë për Brazilin. Ajo që më motivoi të ekspozohem – duke deklaruar mbështetjen time për Bolsonaro – janë vlerat që presidenti promovon: familja dhe liria”.
“Kjo është arsyeja pse u bëj thirrje të gjithë të tjerëve që duan të mbajnë qëndrim dhe të kenë lirinë për të shprehur ndjenjat e tyre”, vazhdoi sulmuesi.
Edhe yje të tjerë kanë vlerësuar Bolsonaron
Në favor të Bolsonaros kanë deklaruar ndër të tjera figura të tjera si Ronaldinho Gaucho, Felipe Melo, Rivaldo, Romario, Lucas Moura, Robinho, Renato Gaucho dhe ‘Mbreti’ i futsallit Falcao.
Neymar do t’ia dedikojë golin e parë të Kupës së Botës, Bolsonaros
“Ka të bëjë me përballjen dhe të mos kesh frikë të luftosh”, ka reflektuar Neymar.
“Unë besoj në presidentin, ai është njeriu i duhur për të udhëhequr Brazilin tonë, ne po shohim përmirësime në gjithçka që ai po bën, ne shpresojmë se presidenti ynë do të rizgjidhet. Voto 22”, shtoi ai duke iu referuar numrit që votuesit duhet të votojnë në kutinë elektronike për zgjedhjet presidenciale.
Neymar më pas premtoi se do të bënte gjestin ’22’ me gishta për të festuar golin e tij të parë në Kupën e Botës. /Telegrafi/