Më 21–22 nëntor, Bajram Curri – Tropojë kthehet në një skenë të gjallë arti, krijimtarie dhe diplomacie kulturore, duke mirëpritur edicionin e parë të Next Generation, një projekt që synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për artistët dhe të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova.

Në njoftim thuhet se Next Generation është më shumë sesa një event është një ftesë për bashkëpunim.


“Atje ku arti bëhet mjet dialogu, ku kultura merr forma të reja dhe ku zëri i brezit të ri tejkalon kufijtë politikë. Në një rajon ku lidhjet kulturore kanë qenë historikisht të natyrshme, projekti rikthen fokusin pikërisht te ajo që është e përbashkët: energjia krijuese dhe dëshira për të ndërtuar të ardhmen së bashku”, thuhet në njoftim.

Pse Tropoja?

Sepse është një nga vendet ku marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë gjithmonë organike. Ku kulturat nuk takohen për herë të parë — por rikthehen tek njëra-tjetra. Tropoja ofron terrenin e duhur për të ndërtuar një model të ri diplomacie kulturore, të bazuar në kreativitet, bashkëpunim dhe art që buron nga brezi i ri.

Çfarë sjell Next Generation?

Programi i dy ditëve përfshin forume, performanca, punëtori, ekspozita dhe aktivitete interaktive, të cilat bashkojnë disiplinat kryesore kreative:

Kinematografi – debate, rrëfime dhe bashkëpunime të reja mes krijuesve filmikë.

Muzikë – performanca që lidhin skena e qytete, me pjesëmarrjen e emrave si Oda Haliti, e njohur për ritmin që udhëton mes Tiranës, Prishtinës dhe Berlinit, dhe Shpat Deda, kantautori me bazë në Prishtinë që sjell rrëfime intime në tinguj pop, soul, rock dhe jazz.

Art & Kulturë – instalacione dhe ndërhyrje vizuale që hapin hapësira të reja interpretimi.

Food Design – një qasje e re ndaj shijeve dhe traditave vendase, duke i trajtuar si elementë të kulturës bashkëkohore.

Trashëgimi Kulturore – rikthimi te rrënjët për të kuptuar më mirë të ardhmen.

Në qendër të programit qëndron ideja se bashkëpunimi kulturor nuk duhet vetëm të ekzistojë — duhet të zhvillohet, të sfidohet dhe të ndërtohet nga ta që e mbajnë gjallë skenën kreative sot.

Qëllimi?

Të krijojë një platformë ku artistët dhe të rinjtë të ndërveprojnë lirshëm. Të shkëmbejnë ide dhe të ndërtojnë ura të reja. Të mendojnë përtej kufijve dhe të imagjinojnë bashkë një vizion të ri kulturor për rajonin. Next Generation është një hap i parë i domosdoshëm drejt një modeli më të avancuar të diplomacisë kulturore — një diplomaci që lind nga arti, bashkëkrijimi dhe dëshirat e brezit të ri.

Next Generation nis këtu.