Site icon Telegrafi

Netët festive me muzikë e koncerte live në Mitrovicë, do të përformojnë këngëtarë e grupe të njohura muzikore

Fotografi ilustruese

Sonte nisin netët festive me koncerte dhe muzikë live në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Këto koncerte do të mbahen çdo natë, duke filluar nga ora 20:00.

Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Mitrovicës, Fahri Jashari, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se gjatë këtyre netëve do të përformojnë këngëtarë dhe grupe të ndryshme muzikore, shkruan Telegrafi.

Jashari ka thënë se muzikë dhe koncerte live do të ketë deri më datën 30 dhjetor, derisa bën të ditur se ky aktivitet ka filluar nga data 9 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 10 janar.

Ai është shprehur se nga data e fillimit të aktivitetit, 9 dhjetor deri më 20 dhjetor ka pasur muzikë me DJ.

“Nga dita e fillimit deri me datën 20 dhjetor do të ketë vetëm DJ, ndërsa nga data 20 dhjetor deri me datë 30 dhjetor do të ketë muzikë live me këngëtarë dhe grupe të ndryshme muzikore”, ka shtuar drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Mitrovicës.

Më tej, ai ka theksuar se çdo natë do të postojnë posterin e këngëtarëve dhe grupeve muzikore që do të përformojnë.

Në natën e parë do të përformojnë ansambli i këngëve dhe valleve për fëmijë “Shqipet e Vogla” dhe “’Shakeit Darabuka”.

Jashari ka potencuar se do të ketë zhanre të ndryshme të muzikës dhe se sipas tij, do të krijohet atmosferë festive.

“Zhanret e këngëve do të jenë të ndryshme. Në natën e parë do të jetë ansambli për fëmijë ‘Shqipet e Vogla’ dhe ‘Shakeit Darabuka’, do të vazhdohet me këngëtarë nga zhanri i muzikës argetuese e të tjerë. Me produkte të ndryshme nga shtëpizat dhe me muzikë nga këngetarë dhe Dj të ndryshëm, do të krijojmë atmosferë festive për një muaj rresht”, ka deklaruar ai.

Jashari ka deklaruar se ka pritshmëri që qytetarët do të argëtohen dhe në Mitrovicë do të ketë gjallëri. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version