Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të hënën se është caktuar një datë për një pushtim izraelit në Rafah, streha e fundit e Gazës për palestinezët e zhvendosur, pa e bërë të ditur atë datë pasi një raund i ri bisedimesh për armëpushim po zhvillohet në Kajro.
“Sot mora një raport të detajuar mbi bisedimet në Kajro, ne po punojmë vazhdimisht për të arritur qëllimet tona, para së gjithash lirimin e të gjithë pengjeve tona dhe arritjen e një fitoreje të plotë ndaj Hamasit”, tha Netanyahu.
“Kjo fitore kërkon hyrjen në Rafah dhe eliminimin e batalioneve terroriste atje. Do të ndodhë – ka një datë”, citohet të ketë thënë më tej ai, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Njoftimi tronditës erdhi disa orë pasi raportet sugjeruan se Hamasi dhe Izraeli ishin vetëm dy ditë larg marrëveshjes për një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh që do t’i jepte të paktën një fund të përkohshëm luftës më të përgjakshme në Lindjen e Mesme në dekada.
Hamasi dhe Izraeli dërguan negociatorë në Kajro, Egjipt, ku iu bashkuan ndërmjetës nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari.
Gazeta e lajmeve e lidhur me shtetin egjiptian Al-Qahera raportoi “përparim të rëndësishëm në disa pika të diskutueshme të marrëveshjes”, duke cituar një burim të paidentifikuar të rangut të lartë egjiptian.
Gazeta tha se delegacionet e Katarit dhe Hamasit ishin larguar nga Kajro dhe pritej të ktheheshin “brenda dy ditësh për të finalizuar kushtet e marrëveshjes”.
Delegacionet amerikane dhe izraelite gjithashtu do të largoheshin nga kryeqyteti egjiptian ‘në orët e ardhshme’ për konsultime gjatë 48 orëve të ardhshme.
Por negociatat kanë qenë jo me ndonjë rezultatë domethënës gjatë gjithë luftës gjashtëmujore në Gaza, ku si Hamasi ashtu edhe Izraeli u tërhoqën disa herë nga bisedimet për mosmarrëveshje.
Ndërkohë aleatët e Izraelit, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, kanë shprehur kundërshtimin ndaj planeve të deklaruara të Izraelit për të pushtuar Rafahun, shtëpia e 1.4 milion civilëve të larguar nga lufta e përgjakshme kundër enklavës. /Telegrafi/