Nëse fëmija juaj fillon shkollën pa ditur të flasë, ndoshta nuk është ajo çfarë mendon

Nga: Shermeena Rabbi / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Kur Aideni[*], një djalë trevjeçar, u soll në klinikën time dhe nuk dinte të fliste më shumë se “Mami”, prindërit e tij më treguan me krenari se sa inteligjent ishte ai: “Di të hapë aplikacionet në iPad për të parë emisionet e tij të preferuara, por thjesht nuk flet”.
Aideni komunikonte me tinguj dhe gjeste, duke e tërhequr mamanë nga krahu për t’ia bërë të ditur nevojat që ka. Zakonisht, fëmijët arrijnë të shqiptojnë disa fjalë të thjeshta deri në moshën 12-muajshe, ndaj të kesh një gjuhë kaq të kufizuar në moshën trevjeçare është diçka shqetësuese.
Gjatë vlerësimit të detajuar, zbuluam se ai nuk ishte autik, siç shpeshherë dyshohet në raste të tilla. Në vend të lojërave, këngëve për fëmijë dhe bisedave ballë për ballë me prindërit, Aideni kishte kaluar pjesën më të madhe të kohës përballë ekraneve. Qasja e re e prindërve është dixhitale dhe po lë pasoja serioze.
Për 13 vjet kam punuar si terapiste për të folurit dhe gjuhë dhe rastet e tilla dikur ishin të rralla, por tani, fëmijë pas fëmije që vijnë në derën e klinikës time në Londër, janë joverbal ose flasin vetëm me ca fjalë - shpesh janë tre apo katër vjeç. I trajtojmë të gjitha format e çrregullimeve të të folurit dhe gjuhës, përfshirë ato të shkaktuara nga autizmi, por që nga pandemia e Kovidit, 50 për qind e rasteve te fëmijët parashkollorë kanë si shkak mbështetjen e tepruar tek ekranet.
Sipas një sondazhi të YouGov, në mars të këtij viti, 44 për qind e mësuesve të shkollave fillore thonë se deri një në pesë fëmijë kanë vështirësi në komunikim në nivelin e pritur për moshën dhe tri të katërtat e mësuesve besojnë se prindërit janë në mohim për këtë. Kur më në fund prindërit kuptojnë se fëmijët e tyre rrezikojnë të mbeten prapa në shkollë dhe në shoqëri, për shkak të një mungese të pavetëdijshme dhe të paqëllimshme në prindërimin e tyre, ata përfshihen nga një ndjenjë e thellë turpi.
Në tri vitet e para, foshnjat janë si sfungjerë, dhe është thelbësore t’i ekspozosh te komunikimi social që të zhvillojnë aftësitë e tyre verbale. Grupet e lojës janë shumë të rëndësishme, ashtu si loja imagjinare me lodra, si kuzhina apo ferma, të cilat ndihmojnë në zhvillimin e gjuhës funksionale. Por, kjo gjeneratë e prindërve, të aftë në teknologji, të shpërqendruar edhe vetë nga ekranet, nuk luajnë dhe nuk ndërveprojnë sa duhet me fëmijët e tyre.
Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon që koha para ekranit të jetë shumë e kufizuar për fëmijët nën moshën dyvjeçare. Këtë javë, liberaldemokratët propozuan që aplikacionet e rrjeteve sociale të kenë paralajmërime shëndetësore, të ngjashme me ato të cigareve, për të mbrojtur fëmijët nga “algoritmet e varësisë”. Nuk rrezikohet veç shëndeti mendor, por edhe arsimi i tyre.
Për shkak të paaftësisë së tij për të komunikuar apo për të kuptuar bisedat, Aideni shpërthente në histeri. Stimulimi i shpejtë dhe i vazhdueshëm nga argëtimi digjital e kishte lënë të paaftë të përqendrohej në botën e përditshme normale. Në procesin e përvetësimit të gjuhës, hapi i parë është vëmendja, i dyti dëgjimi dhe i treti loja - por, për Aidenin, kjo sekuencë nuk ishte e arritshme. Megjithatë, falë terapisë së të folurit, aktiviteteve të lojës imagjinative dhe ndërveprimit të rregullt me mamanë dhe babanë, ai tani po përparon.
Në shkollë, fëmijët me aftësi të kufizuara në komunikim ose tërhiqen ose sillen keq. Aftësitë e dobëta në komunikim lidhen drejtpërdrejt me probleme të shëndetit mendor, dhe fëmija gjithmonë do të mundohet të kapë hapin me të tjerët. Mesazhi për prindërit e rinj është i qartë: Largojeni telefonin dhe iPad-in.
_________________
[*] Emri është ndryshuar.


















































