LAJMI I FUNDIT:

Në Kuvendin e Maqedonisë luhet loja humbës apo fitues i ‘përjetshëm’

Në Kuvendin e Maqedonisë luhet loja humbës apo fitues i ‘përjetshëm’

Kuvendi i Maqedonisë ende vazhdon të mbetet i bllokuar. Tani kur duhet të zgjidhet kryetari i parlamentit, deputetët e OBRM-PDUKM dhe LSDM-së ende vazhdojnë të replikojnë dhe akuzojnë njëra tjetrën për politikbërjen e tyre. Por shtrohet pyetja se kush humb më së shumti me këtë zvarritje të OBRM-PDUKM në Kuvend dhe po ashtu kacafytjes brenda vet partive politike shqiptare dhe si do të ndikon kjo te qytetaret ne aspektin ekonomik. Telegrafi për këtë ka kontaktuar ekspert dhe profesor për të diskutuar në lidhje me atë se kush e paguan faturën e gjithë kësaj.

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Besim Dogani vlerëson se bllokimi i Kuvendit nga OBRM-PDUKM është një keqpërdorim klasik i rregullores dhe se të gjithë këtë do ta pësojë partia e Gruevskit.

‘Dua të qartësoj se veprimi i OBRM-PDUKM-së në suaza të diskutimit brenda Kuvendit është një keqpërdorim klasik i rregullores, dhe në vete përcjell mesazhin për një dezorganizim dhe huti të thellë në radhët e kësaj partie. Është më se e qartë se nga këto veprime humbës më i madh do të del OBRM-ja sepse ajo jo vetëm që në mënyrë të papërgjegjshme shkel mbi të gjitha parimet Kushtetuese dhe legjislative por po ashtu krijon harxhime të majme buxhetore dhe e vazhdon agoninë e qindra mijëra qytetarëve dhe bizneseve të cilët vuajnë dëme të mëdha nga mosfunksionimi i shtetit si pasojë e mospasjes qeveri. Kjo parti për çdo ditë e më tepër merr goditje të fuqishme nga faktorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit dhe nuk besoj që do të arrijë të merr veten nëse brenda saj nuk zhvillohen procese të thella të reformimit si në aspekt të zëvendësimit të kuadrove të ndërthurura në krim, po ashtu edhe në aspektin ideologjik. Nga ana tjetër partitë politike shqiptare edhe njëherë dëshmojnë papjekurinë e tyre politike, mosfunksionimin në bazë të programeve të mirëfillta, por si gjithnjë vendimet e tyre politike janë vendime të çastit, të pamenduara mirë dhe kryesisht në bazë të interesave afatshkurta partiake. Vendim i tillë është edhe mospërkrahja e një kandidati të vetëm shqiptar për kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë’, thekson Dogani.


Dogani në pronocimin për Telegrafi thotë se shqiptarët me veprimet e tyre jo vetëm që rrezikojnë të humbin fuqinë brenda sistemit politik dhe qeverisës së Republikës së Maqedonisë, por rrezikojnë që me të ashtuquajturën “Deklaratë shqiptare” të përmbyllin kapitullin e kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë, që nuk korrespondon me realitetin, sepse asnjëra parti politike shqiptare deri më tani nuk e ka thënë publikisht dhe qartë se kjo deklaratë është vetëm një platformë kalimtare dhe se shqiptarët nuk do të ndalojnë me veprimin politik deri në arritjen e barazisë së plotë me maqedonasit në këtë shtet. Kam drojë se veprimet e këtilla përçarëse të cilat jo vetëm që nuk i ndihmojnë situatës por edhe e ndërlikojnë atë, do të ndikojnë te elektorati shqiptar që përfaqësimin e tyre politik ta kërkojë jashtë partive shqiptare, ashtu siç ndodhi edhe në zgjedhjet e kaluara të parakohshme.
Me këtë humbasin të gjithë, humbet përfaqësimi i shqiptarëve në shtëpinë ligjvënëse të Maqedonisë.

Nga ana tjetër Arben Halili, kryetari i Zonës së Lirë Ekonomike në Tetovë, thotë se para se gjithash zvarritja e gjithë procesit politik, duke u nisur që para tre viteve e deri te bllokimi i Kuvendit, ndjeshmëri më të madhe ka sfera e ekonomisë dhe largimin e investitorëve të huaj nga vendi.

‘Zhvillimi i situatës së fundit në Kuvendin e Maqedonisë po dëshmon edhe njëherë për kapacitetin e institucionit më të lartë ligjvenës si edhe për nivelin e lartë të joseriozitetit pikërisht të atyre që janë zgjedhur për të qenë në shërbim të qytetarëve. Kjo formë e re e tentim-bllokimit të zgjedhjes së organit drejtues të Kuvendit, ka për qëllim të vetëm defokusimin e opinionit të gjerë nga problemet reale me të cilat ballafaqohet vendi dhe vendosjen para drejtësisë të gjithsecilit që ka vepruar kundrejt normave ligjore në çfarçdoqoftë pozicioni të ketë qenë. Vazhdimi i kësaj papjekurie politike në nivelin më të lartë ligjëvënës, edhe më tepër do vështirësojë gjendjen edhe ashtu të rënduar ekonomike në vend, dhe pasojat e kësaj do jenë katastrofale për ekonominë vendore e me theks të vaçantë për biznesin lokal pa mos anashkaluar edhe investitorët e huaj. Maqedonia nga një vend që pretendohej të ishte lider në rajon për nga implementimi i reformave, rezulton praktikisht vendi me nivelin më të ulët të sigurisë politike në rajon. Kjo padyshim që në raportet e ardhshme të cilat përgatiten nga Banka Botërore, si Doing business e të tjera, do rangojnë Maqedoninë në pozita shumë më të ndryshmet krahasuar me ato që jemi mësuar ta shohim viteve të fundit’.

Halili më tej shton se pavarësisht reformave të ndryshme ligjore që mund të implementohen në vend, është pikërisht zbatimi i tyre, ajo çka ndihmon ekonomisë. Sesa zbatimi i ligjit është i barabartë për të gjithë, Halili thotë se kemi mjaftueshëm arguemente për të dyshuar në këtë. Gjithsesi ajo që është me rëndësi në këtë periudh, faktori politik shqiptar duhet të bashkërendohet në të njëjtën linjë, respektivisht interesi ekonomik dhe zhvillimi i barabartë rajonal duhet të jenë pikat e panegociueshme, përfshirë këtu ndarjen proporcionale buxhetore. Unë thellësisht besoj se nëse do arrihet që të sigurohen këto kërkesa, në të ardhmen e afër më nuk do flasim për temat e ndryshme në formë të kërkesave, përkundrazi do mund të gëzonim të drejtat ashtu siç na takojnë, potencon Halili.

Profesori Shefal Latifi për Telegrafi Maqedoni deklarohet se bllokimi dhe shantazhimi i punës së Kuvendit nga OBRM-PDUKM nuk është diçka e re.

‘Edhe në të kaluarën po në këtë Kuvend disa herë janë bllokuar proceset kur aktorët politik nuk kanë qenë në gjendje të marrin vendime të rëndësishme për ndonjë problem të caktuar. Në demokracitë parlamentare ky lloj mekanizmi vlerësohet si i drejt dhe duket si normal, i cili është i harmonizuar edhe konform regullores së Kuvendit, por në praktik ky mekanizëm nuk është në dobi të askujt, madje as të atyre që e përdorin. Orvatja e tillë për blerjen apo shitjen e kohës nuk është në funksion të zgjidhjes së problemeve, por përkundrazi reflekton paaftësinë e aktorëve politik për tu përballur dhe zgjidhur problemet. Në fund si gjithmonë, faturën e paguajnë qytetarët.
Deklarata politike nga njëra anë nxiti reagim të qëllimshëm dhe të planifikuar të OBRM, kurse te spektri politik shqiptar kam përshtypjen se më shumë i ngjanë një gare për përfitime politike. Mendoj se rreth deklaratës më tepër vëmendje i kushtohet autorësisë, vendit, formës sesa përmbajtjes. Prandaj edhe kacafytja mes taboreve politike nuk është e rastit. Pasojat e kësaj përçarjeje mendoj se më së shumti do t’i ndjejnë vetë nxitësit e përçarjes’, thotë Latifi.

Win-win apo lose-lose (fitues-fitues; humbës-humbës) janë terma që i referohen teorive të rezultateve të mundshme të një loje apo mosmarrëveshjeje që përfshin dy anët dhe më e rëndësishmja sesi çdo anë e percepton rezultatin në krahasim me gjendjen e tyre të para lojës. Për momentin tek taboret politike në Maqedoni, sidomos ato maqedonase është duke u zhvilluar loja të gjithë fitues apo të gjithë humbës. Në rastin konkret dikush duhet të jetë fituesi, të futet në qeveri dhe të integrojë shoqërinë në proceset evropiane dhe dikush duhet të jetë humbësi, të jap përgjegjësi për të gjitha krimet e bëra. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Lajme
ROSCAP: Doracakët për edukimin seksual janë inicuar dhe zhvilluar gjatë kohës kur në pushtet ishin PDK, LDK dhe LVV

ROSCAP: Doracakët për edukimin seksual janë inicuar dhe zhvilluar gjatë kohës kur në pushtet ishin PDK, LDK dhe LVV

Lajme
Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikistanit që përballet me dëbim

Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikistanit që përballet me dëbim

Lajme
Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Lajme
I jepet lamtumira e fundit dy të rinjve që u vranë në Klinë, shokët veshin bluzët me fotografitë e tyre

I jepet lamtumira e fundit dy të rinjve që u vranë në Klinë, shokët veshin bluzët me fotografitë e tyre

Lajme
Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Kronika e Zezë
Kalo në kategori