Në kuadër të projektit “Monitorimi dhe llogaridhënia me ndjeshmëri gjinore”, u organizua në Komunën e Klinës një panel diskutimi me temën “Promovimi dhe Zbatimi i Barazisë Gjinore”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve komunalë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit më të gjerë “Instrumenti për Barazi Gjinore” (Gender Equality Facility – GEF), i financuar nga Bashkimi Evropian, implementuar nga UN Women dhe zbatuar nga Mitrovica Women Association for Human Rights, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore.


Në panel morën pjesë nënkryetarja e Komunës së Klinës, Marqe Tanushi Selmanaj, zyrtarja për Barazi Gjinore, znj. Vitore Shala, drejtori i Administratës, Binak Sylaj, drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Lorenc Marleku, si dhe zyrtarë tjerë komunalë dhe përfaqësues të mediave.

Diskutimi shërbeu si platformë për shkëmbimin e ideve dhe përvojave në lidhje me integrimin e perspektivës gjinore në të gjitha fazat e politikëbërjes, duke përfshirë planifikimin strategjik, zbatimin dhe vlerësimin e politikave publike.

Nënkryetarja Selmanaj theksoi rëndësinë që barazia gjinore të jetë e përfshirë në çdo proces vendimmarrës brenda komunës dhe nënvizoi nevojën për përfshirjen aktive të grave dhe vajzave në të gjitha nivelet e zhvillimit politik dhe institucional. Ajo e konsideroi këtë qasje thelbësore për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të drejtë./Telegrafi/