Komuna e Kamenicës ka mbajtur dje ceremoninë e diplomimit të maturantëve përmes një modeli ndryshe nga herë të tjera.

Në mes të gjelbërimit, në qendër të qytetit e në një ambient të rregulluar bukur, prindërit kishin mundësi t’i shihnin fëmijët e tyre në përfundimin e shkollës së mesme.


“Jemi përkushtuar të thyejmë kufijtë e së vjetrës pa shije, dhe të arrijme te kultura dhe niveli cilësor me plotë shije. Në ambiente të hapura, të rrethuar me gjelbërim, në prani të prindërve dhe mësimdhënësve të tyre, maturantët kamenicas kanë përjetuar emocione të reja në Ceremoninë e Diplomimit”, ka shkruar kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj.

Maturantët të veshur me uniforma parakaluan në tapetin e kuq për të zënë vendet e tyre. Ndërsa, ceremonia filloi më himnin kombëtar dhe më pas himnin shtetëror nga Orkestra frymore e Kamenicës.

Në fjalimin e tij, drejtori i arsimit, Afrim Dervishi kujtoi momente që kur ishte në moshën e tyre.

“Sot nuk kam shkruar një fjalim për ta lexuar, thash se do të flas vetë, dhe madje e kam porositur kryetarin që kur ta shoh që po e zgjas me fjalim të filloj të duartrokas, atëherë e di që jam duke e tepruar dhe do të ndalem. E falenderoj shumë Kryetarin Rahimaj sepse me përkrahjen e tij kemi ardhur deri këtu. Andaj jam shumë i lumtur për ju, dhe ju uroj për këtë ditë duke dashur më të mirën për ardhmen tuaj. Dua që të ndjekni ëndrrat e dëshirat që keni, por vetëm me punë e sakrificë sepse kështu mund të jeni të sukseshëm”, ka thënë ai.

Edhe kryetari Rahimaj u shpreh tejet i lumtur që i gjithë ky organizim është bërë në mënyrën më të mirë për maturantët.

Ai theksoi se nuk është vetëm një përfundim i një etape arsimore, por një hap i ri drejt ëndrrave, sfidave dhe mundësive të panumërta.

“Ju sot keni në duar çelësin e së ardhmes suaj. Pas shumë netëve me libra, përpjekjeve, sakrificave dhe momenteve të bukura që i keni ndarë me shokët e klasës, jeni gati të nisni një kapitull të ri. Por, çfarëdo rruge që të zgjidhni, dijeni se përkushtimi, ndershmëria dhe dashuria për dijen janë gjithmonë udhërrëfyesit më të mirë. Etapat e reja mund të jenë edhe të vështira, por asesi nuk duhet të ju frikësojnë. Një fillim i ri është mundësi për të mësuar, është rrugë për krijim idesh, është qëllim për të kontribuar për vendin e për të arritur ëndrrat”, ka thënë Kryetari Rahimaj.

Ndër të tjera ai tha se komuna ka bërë rregullimin e infrastrukturës shkollore ku në disa pjesë po punohet ende.

Në këtë ceremoni nuk munguan as fjalimet e disa maturantëve si Erion Morina, Alesia Kastrati e Vedina Hyseni, të cilët falënderuan Kryetarin Rahimaj, Drejtorin Dervishi, kujdestarët e mësimdhënësit e tyre për të gjitha gjërat që kanë bërë për maturantët.

Për maturantët u bë edhe ndarja e disa shpërblimeve në bazë të një loje. Komuna ndau për ta bursa, trajnime falas në Parkun Teknologjik, libra e maica.

Ceremonia u mbyll me hedhjen e kapelave nga maturantët, të cilët i pret një rrugëtim sa i gjatë por edhe sfidues për të ardhmen e tyre. /Telegrafi/