Policia e Kosovës në Ferizaj ka vazhduar me planet operative për parandalim të aksidenteve në komunikacion, ndërkohë ka marrë iniciativë për ndëshkim të vozitësve që tejkalojnë shpejtësinë në komunikacion dhe që rrezikojnë jetën e tyre dhe të tjerëve.

Kanun Vese;li, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, nëpërmjet një njoftimi ka dhënë sqarime se si po ndëshkohen vozitësit për çdo ditë që tejkalojnë shpejtësinë dhe që bëjnë shkelje në komunikacion.


“Në rrugën magjistrale Ferizaj–Shtime, në fshatin Lloshkobare, është ndaluar nga policia një shofer me inicialet V. S., 21 vjeç, i cili po drejtonte një veturë të tipit BMW X5. I njëjti është kapur duke qarkulluar me shpejtësi prej 135 km/h në një zonë ku kufizimi i lejuar është 50 km/h. Për këtë kundërvajtje, ndaj tij është shqiptuar gjobë në vlerë prej 300 eurosh, janë shqiptuar 3 pikë negative dhe masa mbrojtëse e ndalimit të patentë shoferit për një periudhë prej 3 muajsh, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut, me qëllim të garantimit të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në rrugë.

Veseli ka kërkuar bashkëpunim me qytetarët të raportojnë çdo shkelje të rregullave të trafikut përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” apo në numrat e emergjencës./Telegrafi/