Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjente, Qendrim Millaku, shefin e Grupit kuvendar të AAK-së, Valmir Bacaj, kanë vizituar fshatin Zajm të Klinës ku kanë parë nga afër punimet që po bëhen për ndërtimin e parkut të fshatit, financim nga buxheti i komunës në vlerë rreth 27 mijë euro.
Kryetari Elezaj përmes rrjetit social Facebook ka njoftuar se ndërtimi i parqeve në fshatra ka qenë një ndër premtimet e tij gjatë fushatës zgjedhore.
“Ndërtimi i parqeve në fshatra ka qenë një nga premtimet e mia gjatë fushatës zgjedhore që tashmë kemi filluar ta përmbushim”, ka shkruar Elezaj.
Ai gjithashtu ka përmendur edhe parqet të cilat kanë përfunduar dhe disa të tjera të cilat janë drejt përfundimit si parku në fshatin Zajm.
“Deri më tani kemi bërë ndërtimin e parqeve në Sferkë, Qeskovë, Grabanicë dhe Ujmirë, ndërsa tash kemi filluar ndërtimin e parkut në Zajm”, ka thënë Elezaj.
Kryetari Elezaj ka paralajmëruar edhe ndërtimin e një parku tjetër në fshatin Caravik gjatë javës tjetër. /Telegrafi/