Ndërtimi i objektit të ri të Entit Special në Shtime, një grup aktivistësh dhe psikologësh i shkruajnë Ministrisë së Shëndetësisë

Disa muaj më parë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia kanë vendosur gurthemelin e ndërtesës së re të Entit Special në Shtime.
Në njoftimin e atëhershëm për media thuhej se investimi ishte në vlerë prej 6.3 milionë euro, ku ndërtesa e re e Entit Special do të përfshijë një sipërfaqe të gjithmbarshme prej 6800 metra katrorë dhe kohëzgjatja e punimeve pritet të jetë dy vjet.
E lidhur me këtë objekt kanë reaguar një grup aktivistësh dhe profesionistësh të shëndetit mendor, të cilët thonë se i kanë dërguar zyrtarisht një letër Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, duke shprehur shqetësimin për vendimin mbi ndërtimin e një objekti të ri për Institutin Special në Shtime dhe duke theksuar nevojën për shërbime komunitare të fuqizuara dhe përfshirje sociale.
Letra e plotë:
Reagim lidhur me ndërtimin e objektit të ri të Institutit Special në Shtime
Të nderuar/a përfaqësues/e të Ministrisë së Shëndetësisë,
Ne, të nënshkruarit/at, psikologë/e në Kosovë, ndjejmë përgjegjësi profesionale dhe morale të shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me vendimin për ndërtimin e një objekti të ri për Institutin Special në Shtime, në një lokacion edhe më të largët dhe më të izoluar nga komuniteti.
Ky hap është në kundërshtim me rekomandimet dhe praktikat më të avancuara ndërkombëtare në fushën e trajtimit dhe kujdesit për personat me çrregullime të shëndetit mendor.
Sipas këtyre standardeve, përfshirë udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, institucionet e mbyllura rezidenciale duhet të shuhen gradualisht dhe të zëvendësohen me shërbime të bazuara në komunitet, të cilat sigurojnë përfshirje sociale, dinjitet dhe rehabilitim të vërtetë për pacientët.
Ndërtimi i një objekti të ri në periferi jo vetëm që do t’i largojë më tej banorët e Institutit nga komuniteti, por do të përforcojë qasjen e vjetër të institucionalizimit afatgjatë dhe izolimit, që tashmë është dëshmuar se nuk sjell rezultate pozitive për mirëqenien dhe rehabilitimin e tyre.
Ky vendim gjithashtu rrezikon të thellojë stigmatizimin dhe të përjetësojë diskriminimin e personave me probleme të shëndetit mendor në shoqërinë tonë. Në punën tonë dhe praktikën tonë të përditshme, është mëse e dukshme që shërimi dhe rehabilitimi shkojnë vetëm paralel me përfshirjen në komunitet.
Ne kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë që ta rishqyrtojë urgjentisht këtë vendim dhe ta ndalojë projektin për ndërtimin e objektit të ri të Institutit Special në Shtime.
Në vend të kësaj, bëjmë thirrje që të investohet në zhvillimin e shërbimeve të shpërndara në komunitet: qendra të shëndetit mendor të mbështetura, shërbime të shëndetit mendor në baza ditore, ekipe të lëvizshme të kujdesit dhe përfshirjen e vazhdueshme të pacientëve në jetën sociale dhe ekonomike të komunitetit.
Jemi inkurajues/e për çdo zhvillim të këtij drejtimi që ka në qendër dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. /Telegrafi/















































