LAJMI I FUNDIT:

Ndalohet kinezi në Rinas, kishte rreth 29 mijë dollarë të padeklaruara me vete

Ndalohet kinezi në Rinas, kishte rreth 29 mijë dollarë të padeklaruara me vete

Policia ka ndaluar një shtetas kinez me 28,900 dollarë të padeklaruara në Aeroportin e Rinasit në Tiranë.

Sipas policisë, shtetasi kinez është proceduar penalisht pasi kishte fshehur në bagazhet që kishte me vete, 28,900 dollarë, me qëllim futjen në vendin tonë. Policia ka sekuestruar shumën e parave.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, si rezultat i intensifikimit të punës në hyrje/dalje, me qëllim garantimin e qarkullimit të sigurtë të shtetasve dhe mallrave, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive kufitare, kanë ushtruar kontroll në bagazhet e shtetasit kinez L. X”, thuhet në njoftimin e policisë.


Si rezultat i kontrollit në këto bagazhe, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 28 900 dollarë, të cilat ky shtetas tentonte t’i fuste në vendin tonë, pa i deklaruar konform ligjit.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. X., 44 vjeç, banues në Kinë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/